Në kuadër të Ditëve të Albanologjisë, Instituti i Antropologjisë ka çelur një ekspozitë për xhubletën, traditën 4-mije vjeçare shqiptare. Etnografja Afërdita Onuzi u ndal te veçantitë e risitë e librit të saj.

Në kuadër të “Ditëve të Albanologjisë” në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, etnografja Afërdita Onuzi prezantoi studimin mbi veshjen e xhubletës dhe të varianteve të saj- si përfaqësuese të periudhave të ndryshme të jetës, dhe ndryshimin e modelit nga Dukagjini, Nikaj-Mërtur në Kelmend, prej gjysmës së dytë të shek.XIX deri në fillim të shek.XX.

ONUZI: Në këtë botim jam përpjekur të vë përballë, rrëfimin dhe përjetimet e mia, goditjen e parë për xhubletën dhe ndjesitë etnopsikologjike, estetike të banorëve, qoftë të burrave dhe të grave, të grave që e mbanin xhubletën dhe ua them me sinqeritet- dhe të burrave që vlerësonin gratë me xhubletë- ishin të më të bukurat, më të zonjat e tundej dheu kur kalonin çohej deti tallaz-tallaz, kur i shikonin në oborret e kishave.

Në ekspozitë veshja u shfaq në arealin e saj etnografik, në mesin e karrigeve, stolave, ndriçuesve, enëve që i përkasin fundit të shek.XIX, ndërsa pyetja që shtrohet që nga Andromaqi Gjergji te Afërdita Onuzi, është sërish ruajtja.

“Nuk dihet pse xhubleta arriti të mbijetojë vetëm në zonën e alpeve shqiptare ndërkohë që ka pasur përhapje në gjithë pellgun e Mesdheut në këtë periudhë që themi 4 mijë vjeçare. Xhubleta kërkoi besë te alpet shqiptare dhe alpet ia dhanë”, tha etnografja Onuzi.

Në kuadër të Ditëve të Albanologjisë, u fol edhe për “Atlasin Etnografik Shqiptar: Kultura, Natyra, Arti” që paraqiti rezultatet e punës kërkimore dyvjeçare të kërkuesve të IAKSA-s për “Fshatin Shqiptar Sot”, që kishte qëllim, dokumentimin e shndërrimeve të mëdha që ka pasur moderniteti mbi fshatin shqiptar bazuar në kërkimet në 40 fshatra të Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: