Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka goditur një rast të tentativës për trafikim të veprave të artit, duke sekuestruar 10 piktura me një vlerë të përllogaritur prej rreth 25 mijë euro.
Sipas njoftimit zyrtar, në dalje të Shqipërisë është ndaluar për kontroll të detajuar një fugon me drejtues shtetasin Kasem Qato 37 vjeç, banues në Elbasan. Gjatë kontrollit në mjetin e tij, policia gjeti 10 piktura të padeklaruara, për të cilat i arrestuari nuk kishte asnjë dokument që të provonte origjinën apo pronësinë e tyre.
Qato u arrestua në flagrancë, ndërsa dy shtetas të tjerë, Q. H., 25 vjeç, banues në Fier dhe G. N., 53 vjeç, banues në Durrës, u shpallën në kërkim. Ata dyshohen si bashkëpunëtorë në tentativën për trafikimin e veprave të artit.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të rastit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, kryer në bashkëpunim.
