Emisioni në “Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, ka zbardhur dosjen e plotë hetimore për grupin e narkotrafikut nga Amerika Latine në drejtim të Evropës, goditur së fundmi nga SPAK.

Dokumentari:

Nëse të vdekurit nuk kanë gojë dhe i japin llogari një bote që duket sikur për momentin nuk na përket, drejtësia në tokë ka për detyrë të mos harrojë. As kur ti beson se gjithçka i takon një të shkuare dhe e vërteta është strukur aq thellë sa askush nuk mund ta lëvizë kapakun e saj të rëndë ku ti mendon se e ke varrosur me sigurinë edhe të kriminelit më të regjur. Por duket se e vërteta pret dhe ajo është aty edhe pse mund të vonojë në kohë. Dhe kur arkmorti yt, ku ti e ke fshehur me aq skrupolozitet quhet teknologji e avancuar, të tradhton. Fati i keq me të cilin duhet të përballen tashmë shumë personazhe të jetës së krimit, bota e të cilëve nuk duket më dhe aq e nëndheshme, pas çkodimit të aplikacionit Sky ECC.

Fati i keq me të cilin duhet të përballen tashmë shumë personazhe të jetës së krimit, bota e të cilëve nuk duket më dhe aq e nëndheshme, pas çkodimit të aplikacionit Sky ECC. Miti i pallateve të tyre perandorake të krimit, po rrëzohet një e nga një, ashtu si një lojë gurësh dominosh. Një prej këtyre personave është Ervin Mata, një emër thuajse i papërfolur deri mbrëmjen e 4 tetorit 2018, kur një ngjarje e rëndë e ndodhur në zemër të Tiranës, në zonën e ish-Bllokut tronditi kryeqytetin. Ku gjatë një përplasje me armë brenda ambienteve të lokalit luksoz ‘Monopol’, midis dy grupeve që më pas rezultuan me përmbajtje të lartë kriminale, mbeti i vrarë Fabiol Gaxha si edhe u plagos i ashtëquajturi atë kohë Mbreti i Kumarit, Ervis Martinaj dhe një nga ushtarët e tij, Eljon Hato.

Ngjarje që në atë kohë, u tha se ndodhi për shkak të ngacmimit që i ishte bërë të fejuarës së Matës, një këngëtare shumë e famshme në Shqipëri, por që më pas doli se shkaku që çoi deri në përdorimin e armëve në qendrën argëtuese më të populluar të Tiranës, ishte përplasja për drogën.  Dyshimet mbetën vetëm të tilla, pasi nuk u provuan kurrë nga drejtësia, e cila në vazhdim dha vetëm disa vendime gati qesharake për personazhet e përfshirë në këtë masakër, që në fakt nuk do të ndalej këtu. Por kohë pas kohe do të hante edhe koka të tjera. Ndoshta edhe të vetë Mbretit të Kumarit, Ervis Martinaj, që rezulton i zhdukur që nga vera e vitit 2022.

Por ku dukej se masakra në Ish-Bllok i përkiste të kaluarës dhe motivi i vërtetë i kish mbetur kohës duke u varrosur aty, duket se nuk ishte kështu për Sky ECC, platforma, që këta personazhe u kishin besuar verbërisht krimet e tyre dhe e kishin përdorur për të komunikuar në fshehtësi të plotë. Dhe që SPAK, po e rrotullon në duar si një xhevahir të çmuar, duke çmontuar nga aty, çdo grup kriminal dhe çdo ngjarje të tillë të pazbardhur deri më sot. Ashtu si edhe atë më të fundit, ku në rrjetë kanë rënë ish-drejtues të lartë të policisë, zyrtarë aktual të rrobës së rendit, por edhe narkotrafikantë që deri dje bënin një jetë të pashqetësuar luksi në kryeqytet dhe që sot kanë marrë arratinë. Por cila është veprimtaria kriminale e Ervin Matës e zbuluar nëpërmjet aplikacionit Sky ECC? Dhe si lidhet ajo me një grup të gjerë të strukturuar kriminal?

Sipas dosjes së siguruar nga emisioni “Në ‘Shënjestër” Ervin Mata duket se ka pasur rolin e ndërlidhësit në trafikun e drogës midis bashkëpunëtorëve të tij në Amerikën e Jugut dhe Eralbi Breçanit, djalit të madh të ish-nëndrejtorit të policisë së Tiranës, Erzen Breçanit, të cilit i kishte dhënë motrën për grua.  I gjithë aktiviteti i tyre nis dhe zbulohet pas sekuestrimit të disa sasive me lëndë narkotike të kapura në portet e Evropës dhe që vinin nga Amerika e Jugut. “Në muajin maj të vitit 2023 SPAK ka kërkuar informacione nga Brazili përmes letërporosisë për tentativën për trafikimin e një sasie prej 69 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar më datë 18 maj 2021, me  nisje nga Sao Paolo Brazil dhe destinacion portin e Valencias, në Spanjë. Po kështu SPAK i ka kërkuar informacion edhe Kolumbisë, ku kërkohen të dhëna lidhur me tentativën për trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit kokainë prej 1 100 kg, ngarkesë e cila është gjetur dhe sekuestruar nga shërbimet e doganës në portin Santa Marta në muajin Mars 2021”, thuhet në dosje.

Po kështu SPAK i ka kërkuar informacion Mbretërisë së Holandës, ku kërkohen të dhëna lidhur me tentativën për trafikimin e një sasie lëndë narkotike të llojit kokainë, dërguar nga vendet e Amerikës së Jugut me konteinerin me numër SUDU8014835 me destinacion Antëerp dhe destinacion final shkarkimin në një magazine në Hollandë. Konteiner që rezulton se është transportuar nga Antëerp drejt Hollandës me kamion. Menjëherë pasi SPAK mori informacione lidhur mbi këto ngarkesa me drogë që po pushtonin ndërkohë Evropën dhe grupin  kriminal shqiptar që dilte të ishte i përfshirë, kërkoi nga homologët e tij francezë, informacione mbi bisedat që ata kishin kryer në platformën e komunikimit Sky ECC. Aty nga ku nisi të zbardhej roli i ‘Bolit’, nofka me të cilën thirret Ervin Mata dhe të burrit të motrës së tij, Eralbi Breçani.

 “Në ngjarjen e datës  5 janar 2021, ku rezulton se është sekuestruar një sasi prej 446 kg lëndë narkotike e llojit kokainë në Holandë, rezulton se informacioni i ardhur nga  Oficeri i Kontaktit pranë Ambasadës së Mbretërisë së Holandës është si më poshtë: Ai ka informuar se ishte kontrolluar kontejneri në zonën e quajtur ‘Maasvlakte’ në portin detar të Roterdamit, Holandë.  Gjatë kontrollit në kontenier u zbulua një sasi droge si edhe u arresuar dy shtetas holandezë. Kontejneri rezulton se ishte ngarkuar në portin detar të Guayaquil në Ekuador. Gjatë  analizimit të bisedave në Sky Eç, mes Ismail Zenelit me  nofkën ‘Daja’, apo ‘Dajloki’ dhe “Transporter”, Eralbi Breçani  me nofkën ‘Boli’ ose ‘Toni’, Besmir Murtati  me nofkën ‘Kukësi” dhe përdoruesit të paidentifikuar  me nofkën ‘Elb’ ose ‘Elb Nissan’, del në pah bashkëpunimi ndërmjet këtyre shtetasve dhe funksionimi i tyre si një grup i strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve. Po kështu evidentohen rolet e secilit për realizimin e trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës së Jugut në drejtim të portit të Antëerpit, Belgjikë dhe Roterdamit, Hollandë”, thuhet në dosje.

 Bazuar në punët për të cilat ata ishin ngarkuar të kryenin, gjithsecili prej shqiptarëve të përfshirë në këtë aktivitet kishte një detyrë të posaçme për të çuar deri në fund.  Kështu, sipas grupit hetues,  Ismail Zeneli mbante rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës si edhe të sigurimit të daljes së lëndës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur ajo mbërrinte në këtë port e transportuar me kontenier. Eralbi Breçani kishte rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës. Po kështu për shkak të lidhjeve të tij, kryesisht në Amerikën e Jugut, ai kishte krijuar kontakte edhe me anëtarë të tjerë të grupit që kishin udhëtuar në këto shtete, me qëllim organizimin e aktivitetit të paligjshëm të trafikimin të lëndëve narkotike.

Në lidhje me Besmir Murtati, ky i fundit del se ishte porositësi dhe financuesi për blerjen e lëndës narkotike në Brazil. Por pjesa më interesante e të gjithë hetimit, janë bisedat tashmë të çkoduara midis grupit, por veçanërisht midis Ismail Zenelit dhe Eralbi Breçanit.  Ku këta të dy diskutojnë rreth dërgimit të një ngarkese prej 500 kg të llojit kokainë nga Amerika e Jugut drejt Valencias.

Ismail Zeneli i shkruan Eralbi Breçanit dhe i dërgon mesazhe zanore: Kam fol por mtha për kët javë 100% do bëj 500 cop me dysheme….
Eralbi Breçani: O dajlok se jam në makinë dhe nuk jam duke të shkrujt dot se edhe nuk shof mirë. Ça me të thënë, po presim këtë javë se ai tha po nisim këtë javë 500. Presim edhe kët javë ça me bo….

 Në një tjetër bisedë në vazhdim Ismail Zeneli flet me Besmir Murtatin, ku duket se punët nuk janë edhe aq mirë dhe dikush nuk e ka mbajtur fjalën.

Ismail Zeneli flet me Besmir Murtatin për çështjen e drogës.

Murtati është i nxehur: ‘Tani më tha kam për Brazilin.  Po leje thash ore na bëj ktë punën e Ekuadorit. Ai lekt smi ka dhënë mua mbrapa a kupton. I q…. robt mor burrë, jo sot, jo nesër, ma nxiu ftyrën.

 Në një tjëtër bisedë Ismail Zeneli kujdeset me Eralbi Breçanin të ndajnë si duhet punët dhe po kështu edhe fitimet që nuk duken fort të këqija.

 Ismail Zeneli bisedon me Eraldi Breçanin për ndarjen e drogës: ‘Gjithsej jemi 6 persona. Unë dhe…mbajmë nga 13.5 që bëjnë 27. Dhe ju te katërt nga 7 copë që bëjnë 28. Total unë me dy qunat e mi do paguj 27.5. Dhe ju keni, ‘Kuksi’ dhe ‘Toni’ 27.5. Kjo është them e drejta. Po jeni dakord na thuni. Duhet ti keni parasysh se tek 55 na marrin 30 %. Por duket se një situatë e papritur, e pakëndshme ua ka prishur sërish humorin, çunave. Të cilët po përballen me faktin që një pjesë e grupit që ishte angazhuar për nxjerrjen e drogës nga porti, ishte tërhequr nga kjo punë. Ismail Zeneli, personi përgjegjës për nxjerrjen e drogës nga porti, ka problematika lidhur me personat që do nxjerrin lëndën, pasi ata janë tërhequr dhe në chat grup ka nisur debati rreth kësaj situate.

Ismail Zeneli flet me Eralbi Breçanin dhe Murtatin për personat që kanë marrë përsipër nxjerrjen e drogës: Daje të lutem thuj atyre sot a e boni punën, po ose jo, se janë përgjësi o daj. Un i mora punën përsipër atyre edhe grupi duhet të jet i sigurt, e bon ose se bon. Për mendimin tim ato jan tremb se nuk e bëjn dot punën mbase’.

Pas kësaj bisede Ismail Zeneli dhe Eralbi Breçani që janë dy kokat e grupit, shfaqin një tjetër hall. Atë se si do ta kalojnë drogën në skaner pa u vënë re. Ismail Zeneli flet ne grup me Eralbi Breçanin dhe Besmir Murtatin. Ata shprehin shqetësim se si do kalojë ngarkesa në skaner: ‘Dajlok e bëjm prove 150-200 si fillim, Ska problem pse marrin 25 %. Ta shikojm si pun…

Zeneli: E kemi me shtet…

Murtati: Nuk njofin humbje?…

Grupi flet që nëse nuk njihet humbja në Brazil këta nuk do të njohin humbjen në Valencia. Por duket se grupi dështoi në transfertën e drogës nga porti holandez dhe më tej. Kjo pasi lënda narkotike u kap nga autoritetet ligjzbatuese në këtë vend, gjë që vihet re edhe në bisedat midis tyre, të cilat janë të shqetësuara.

“Në bisedën e zhvilluar këtë datë, dyshohet se është gjetur dhe sekuestruar nga policia holandeze një sasi prej 446 kg kokainë e fshehur në dyshemenë e konteinerit.  Kjo sasi, dyshohet se ka lidhje me bisedën e dates 16 dhjetor 2020 ku D…. i thotë shtetasve Ismail Zeneli, Besmir Murtati dhe Eralbi Breçani që në ngarkesë ka futur edhe 10 kg për secilin nga to. Kjo është arsyeja përse personat janë aktivë dhe interesohen se si është kapur ngarkesa e kokainës. Një tjetër episod i trafikimit të drogës nga Brazili në Evropë, është edhe ai i 69 kg kokainë në portin e Valencias. Ku edhe në këtë transport emrat e përfshirë janë ata të Eralbi Breçanit, Ismail Zenelit dhe Besmir Murtatit”.

“Më datë 18 Shkurt 2021, në portin e Valencias në Spanjë, është sekuestruar rreth 69 kg kokainë e fshehur në motorin frigoriferik në fund të kontenierit, i cili transportonte fuçi me lëng limoni të ngrirë të koncentruar. Ngarkesa thuhet se kishte ardhur nga Brazili. Nga hetimet del se të dyshuar për këtë trafik janë Ismail Zeneli, Eralbi Breçani dhe Ergys Dashi, ky i fundit i ekzekutuar në Ekuador. Ismail Zeneli ka patur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil. Si edhe të nxjerrjes së lëndës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur do të mbërrinte në këtë port e transportuar me kontenier.  Artan Sulejmani ishte bashkëpunëtor i Zenelit, ndërsa Eralbi Breçani ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil”, thuhet në dosje.

Në një nga bisedat që lidhen me këtë transport droge, ku i përfshirë del të ketë qenë edhe Ergys Dashi, i ekzekutuar disa kohë më pas në Ekuador, Ismail Zeneli dhe Eralbi Breçani, shprehin hapur dyshimin se mos Dashi, u bën  ndonjë lojë.

Ismail Zeneli flet me Besmir Murtatin: Duke qenë se nuk kanë besim tek Ergys Dashi për shkak se po vonon nisjen e lëndës narkotike nga Amerika e Jugut. Në bisedë, Ismail Zeneli thotë: ‘Ishallah s’na del dardhë’.

Por ndërkohë grupi nuk kujdesej vetëm që droga të kalonte e qetë matanë rrethimit të porteve në Evropë, por edhe të lante disa hesape të vjetra, ashtu edhe si në rastin e vëllezërve Nela, për të cilët Ismail Zeneli, besonte se në vitin 2013 i kishin vrarë në sy të tij, vëllain  me emrin e ndryshuar, Xhem Krasniqi, krim që kishte ndodhur në Britaninë e Madhe. Dhe që shumë vite më pas, Ismail Zeneli mendonte se kishte ardhur koha të hakmerrej. Dhe të porosiste vrasjen e tyre.

Episodi në lidhje me sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasve Edmond dhe Albert Nela: Më datë 18 Maj 2013, rezulton se në rrugën ‘Church Road’ në qytetin e Kentit në Angli, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit Xhem Krasniqi me kombësi shqiptare.  I cili ka mbetur i plagosur në pjesën e barkut dhe disa ditë më pas ka humbur jetën për shkak të plagëve të marra.

Në momentin që u qëllua me armë zjarri, Xhem Krasniqi ishte i shoqëruar nga nipi i tij, shtetasi Kelmend Murataj dhe vëllai i tij, shtetasi Ismail Zeneli.

Autorë të dyshuar për këtë ngjarje kanë qenë shtetasi shqiptar Edmond Nela, i cili pas një gjykimi në Mbretërinë e Bashkuar, u shpall i pafajshëm, si dhe në momentet e para u kërkua nga policia e Sussex edhe vëllai i tij.  Në vitin 2020, shtetasi Ismail Zeneli alias Luan Sadria, ka komunikuar me shtetasin Bujar Ajeti alias Bujar Gërmizi. Nga bisedat dyshohet se Ismail Zeneli ka qenë i interesuar në gjetjen dhe vrasjen e vëllezërve Albert dhe Edmond Nela, me qëllim hakmarrjen për vrasjen e vëllait të tij Xhem Krasniqi alias Guximtar Sadria dhe për realizimin e qëllimit kriminal ka kontaktuar shtetasin Bujar Ajetin.  Shtetasi Ismail Zeneli ka kryer disa takime me shtetasin Bujar Ajeti në Shqipëri dhe gjithashtu ka kryer disa veprime me qëllim identifikimin e banesës së vëllezërve Nela.

Ky është edhe momenti kur në lojë për sigurimin e informacioneve për vëllezërit Nela futet edhe Dedan Gjoni. Deri para arrestimit, shef i krimeve në komisaratin nr 6 në Tiranë.

“Bujar Gërmizi, ka krijuar nëpërmjet përdoruesit JTD0FN, kontakt me punonjësin e policisë Dedan Gjoni, identifikuar si përdorues i Sky EÇ DM16CF, me të cilin ka vënë kontakt dhe nëpërmjet tij ka arritur të gjejë adresa dhe automjete nga sistemit e Policisë së Shtetit për vëllezërit Albert dhe Edmond Nela. Ismail Zeneli i dërgon Bujar Gërmizit disa foto të sistemeve që përdorim agjencitë ligjzbatuese, konkretisht dy fotografi personash të ngjashme me fotografitë që paraqiten në sistemin TIMS, si dhe disa fotografi të rubrikës së hyrje-daljeve të sistemit TIMS për poseduesin e dokumentit të udhëtimit 50 7415890- GB dhe 524910311-GB po ashtu dërgon një fotografi të sistemit E-Gjoba ku evidentohet targa AA892IA dhe pronari i mjetit, Albert Beqir Nela”, thuhet në dosje.

Pasi oficeri i policisë Dedan Gjoni i siguron këto informacione Bujar Gërmizit, ky i fundit ia kalon ato Ismail Zenelit. I cili duke shfrenuar gjuhën, gati sa nuk i vjen plasja që këtë informacion nuk e kishte më herët kur njëri nga vëllezërit Nela ishte në Shqipëri.

Teksa dërgon këto fotografi, HFNERI në orën 08:15, shtetasi Ismail Zeneli i shkruan që: I pasna patur aty…. Moter…. Edhe nga Luton… Me avion….Noshta a në Kosovo….O ka dal anej e ka hy ne këmb…Dhelpra jan…Jan shumë tinzak…’.  Atij të voglit me ja hup b… o mik, njanit, cilit të vije. Ky i vogli a kupton, është bash ai kryesori, tash të shofim…..

Por Ismail Zeneli nuk e le me kaq. Edhe pse vëllezërit Nela shfaqen shumë rrallë në Shqipëri dhe qëndrojnë këtu në intervale të shkurtra kohore.  Ai ndërkohë interesohet te Besmir Murtati në Britaninë e Madhe, mos u gjej adresën vëllezërve.

 Përgjimet:

Më datë 6 Janar 2021 në orën 4:26, Ismail Zeneli duke përdorur Q3QNV9 komunikon me përdoruesin e V6FGL7. Duke qenë se shtetasi Besmir Murtati ushtron aktivitet në Mbretërinë e Bashkuar, Ismail Zeneli interesohet që të marrë informacion lidhur me autoveturat apo banesat që përdorin Edmond Nela dhe Albert Nela, për të cilët thotë se i ka armiq. Në vijim Ismail Zeneli i shpjegon se Edmondi, emrin në pasaportë e ka ‘Edmund’. Nga biseda dyshohet se në takimin e paradites, Ismail Zeneli e ka vënë në dijeni Bujar Gërmizin (Ajetin) se do takojë një punonjës policie për të marrë informacion dhe Bujari kërkon të dijë se çfarë i ka thënë polici.

Më datë 8 Shkurt 2021 Ismail Zeneli duke përdorur Q3QNV9 komunikon me përdoruesin e DM16CF, ku i kërkon të dhëna lidhur me targat e makinave të vëllezërve Nela dhe çdo informacion përveç informacioneve për motrën dhe mamanë e vëllezërve Nela, pasi edhe nga bisedat e mëparshme këto të dhëna Ismail Zeneli i disponon kur ka biseduar lidhur me banesën e tyre në rrugën ‘Lord Bajron’.  Më datë 13 Shkurt 2021, Ismail Zeneli pasi e pershëndet bashkëbiseduesin  ai i tregon se motra e vëllezërve Nela, S… Nela ka qenë në Kukës ditën që Ismaili dhe Bujari janë ndarë, që dyshohet për datën 9 Shkurt 2021 një ditë para se Ismail Zeneli të largohej nga Shqipëria. Bujar Ajeti i shpjegon se S… Nela ka qenë në Kukës me një makinë ‘Citroen’ të kuq dhe se ka kaluar kufirin me shami në kokë, dhe për të kaluar kufirin e ka nxjerr djali i tezes së saj, të cilit nuk ja përmendin emrin.  Ata diskutojnë se si ta gjurmojnë S… Nelën duke diskutuar nëse do i vënë pajisje GPS apo do e ndjekin. Bujar Ajeti kërkon që ta ndjekin dhe ti vendosë një rojë nga pas për të mësuar shtëpinë se ku ndodhet.

Ndërkohë që ishin vënë pas motrës së vëllezërve Nela për të parë lëvizjet e saj, me besimin se kështu do të binin në gjurmët e tyre, Ismail Zeneli dhe Bujar Gërmizi ndjekin njëkohësisht edhe nënën e hasmëve të tyre.

Por edhe bashkëshorten e njërit prej vëllezërve.

Në orën 20:12, pas bisedës me Bujar Ajetin, Ismail Zeneli i kërkon që të fliste më shpesh me policinë. Ismail Zeneli i shkruan DMI6CF dhe i kërkon adresën tek ‘Fresku’.

“Dyshohet se bëhet fjalë për adresën e F…. Nela, e cila është në rrugën ‘Shaban Karaj’ dhe ndodhet pranë zonës së Freskut në Tiranë. Ismail Zemeli diskuton me Gërmizin dhe Dedan Gjonin për adresën e bashkëshortes të njërit prej vëllezërve Nela. Gjonit i kërkojnë të gjejë adresën dhe më pas flasin rreth një lajmi ku janë kapur rreth 2-3 ton lëndë narkotike kokainë”, thuhet në dosje.

Sipas SPAK, Dedan Gjoni është i qartë për rolin që po kryen në ndihmë të Ismail Zenelit, në kundërshtim të plotë me parimet e punës së tij si oficer policie, duke i siguruar informaicone lidhur mbi lëvizjet e shënjestrave të tij, vëllezërve Nela.

Po kështu gjatë bisedave del qartë fakti se ai e njeh qëllimin kriminal të Ismail Zenelit.

Më datë 7 Mars 2021 në orën 09:46, në bisedën mes JTD0FN dhe DMI6CF, midis Artan Sulejmanit dhe Dedan Gjonit, ndër të tjera diskutohet edhe rreth problemeve dhe veprimeve që ka Ismail Zeneli me vëllezërit Albert dhe Edmond Nela.  JTD0FN duke qenë se është personi që e ka prezantuar Dedanin me Ismailin, i thotë që ta ndihmojë Ismailin për informacionet që kërkon deri në pikën që nuk i cënon punën Dedanit, por ky i fundit i thotë që ja ka kryer Ismailit ato që i janë dashur. Në bisedë Dedan Gjoni shprehet se i ka gjetur edhe banesën e vëllezërve Nela.  JTD0FN i thotë që nga biseda me shtetasin Ismail Zeneli, ai i ka thënë që adresat i ka parë nga kompjuteri, por Dedani i thotë më tej që Ismaili i ka fotografuar dhe se ai do ta mbarojë si punë, ku dyshohet se i referohet qëllimeve të shtetasi Ismail Zeneli ka për të vrarë vëllezërit Nela”, thuhet në dosje.

Por emri i Dedan Gjonit, nuk del vetëm në këtë episod ku ai tradhton detyrën si oficer I policisë, por edhe në trafikun e drogës. Ku ai del se është i përfshirë në episodin e trafikimit të një sasie marijuana nga Spanja drejt Gjermanisë.

 “Nga hetimet e kryera janë disponuar të dhëna se disa shtetas shqiptar kanë organizuar tentativën për trafikim të një sasie lënde narkotike e llojit marihuanë, e cila dyshohet se është nisur nga Spanja e nëpërmjet Francës dhe Luksemburgut, ka pasur si destinacion final Gjermaninë.

 Më datë 3 Nëntor 2020 nga Policia Gjermane është sekuestruar një sasi lënde narkotike prej 166 kg, e dyshuar e llojit marihuanë.  Kjo lëndë narkotike ishte ngarkuar në kamion, që drejtohej nga shtetasi shqiptar Bajram Grabova.

Më datë 25 Tetor 2020, Albert Prenga këshillon në lidhje me paketimin dhe sistemimin e lëndës narkotike si dhe njofton mbi ardhjen e shoferit Bajram Grabova, ku do të bëhet e mundur pritja në aeroport.  Më datë 28 Tetor 2020, Albert Prenga komunikon me Dedan Gjoni  për detajet të trafikut.  Albert Prenga i dërgon Dedan Gjoni 3 foto të një paketimi drejtkëndësh, me etiketë me mbishkrimin ‘Bu2’, një tjetër e hapur nga paketimi, në të cilën dallohet pako me material të bardhe, i presuar dhe stampuar me thellim ‘777’ dhe një pakọ tjetër e ngjashme me material të bardhë, i presuar dhe stampuar me thellian ‘BU2’. Prenga dhe Dedan Gjoni flasin në mënyrë të vazhfueshme.

Dedan Gjoni i dërgon dhe foto TIMSI të shoferit, Bajram Grabova.

Lidhur mbi këto në ndihmë Dedan Gjonit, i vjen një oficere e policisë kufitare në Rinas, njohje e vjetër e tij. Jonida Babameto, e cila edhe kjo tashmë është arrestuar në kuadër të operacionit më të fundit të SPAK.

 “Në lidhje me veprimet e kryera nga personi nën hetim Dedan Gjoni: Rezulton se ky shtetas në periudhën 25 Shkurt 2020 deri më 5 Nëntor 2021, ka qenë i emëruar oficer policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan. Në muajin Shtator 2020, përdoruesi i SkyEÇ JKE1C8 i ka kërkuar që të verifikojë në sistemin Interpol nëse ai vetë dhe disa shtetas kishin probleme në Interpol, i cili është sistemi ku shpallen në kërkim ndërkombëtar personat nga shtete të ndryshme. Dedan Gjoni, duke mos patur akses në sistemin e Interpol, e ka vënë në dijeni që do e bëjë verifikimin e kërkuar por jo vetë, nëpërmjet një të njohurit të tij që punon në zyrën e Interpolit.  Midis personave që kanë kërkuar për verifikim, dyshohet të jetë edhe emri i Dritan Rexhepit, të cilit Dedan Gjoni i referohet në bisedë si ‘Vlonjati’, që do mbarojë punë në Ekuador. Dedan Gjoni i dërgon një fotografi të një bisede në aplikacionin Ëhatsapp, ku bashkëbiseduesi i shkruan Dedan Gjonit që personi i verifikuar nuk ka probleme në Shqipëri, por vetëm në Spanjë mund të ketë.

Ka rezultuar se punonjës i gatshëm me akses në databazën Interpol ka qenë punonjësja e policisë Jonida Babameto.

ROLI I EFEKTIVIT TË POLICISË NË FUSHATË

Por po kështu Dedan Gjoni del se është aktiv edhe në fushata zgjedhore. Në favor të kandidatëve të ndryshëm. Siç shikohet edhe në këto biseda të kapura në Sky Eç.  “Shtetasi Dedan Gjoni, veç veprimeve të evidentuara më sipër, rezulton që më

datë 5 Mars 2020, ai përfshihet në fushatë zgjedhore për një subjekt të caktuar politik. Në këtë datë ai zhvillon biseda me përdoruesin JTD0FN dhe kërkon të sigurojë vota për kandidatin Myslim Murrizi dhe subjektin zgjedhor ku ai është përfaqësues Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare.

Shtetasi Dedan Gjoni zhvillon bisedat:

DMI6CF: Shok do më ndihmosh me vota…

JTD0FN: Hahaha..në kto momente nuk e di me ka je pz…kam shumë dyshime për ty…

DMI6CF: Me Myslym Murrizin…Shok sa të kem mundësi do e ndihmoj…. 

JTD0FN: Më pëlqen…kam simpati…

DMI6CF–Është i vetmi që kam mik e detyrim…Më ndihmon mua……A më ke shok…

JTDOFN: Nja 15 vota ti jap nga Valencia online…kto që kam me dokumenta…

DMI6CF: Ore në Tirane… Hahah…Jepi urdhër babës..

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb