Festimet për triumfin e Spanjës në Kupën e Botës u kthyen në tragjedi në qytetin Ciudad Rodrigo, në provincën e Salamanca-s, ku një djalë 13-vjeçar humbi jetën pasi u shemb një pjesë e një shatërvani ku ishin ngjitur dhjetëra qytetarë për të festuar. Sipas autoriteteve lokale, platforma e sipërme e shatërvanit u shemb papritur gjatë orëve të para të së hënës, ndërsa disa persona ndodheshin mbi të. I mituri mbeti i bllokuar nën gurët e strukturës dhe, pavarësisht se u transportua menjëherë në qendrën shëndetësore lokale, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.

Nga shembja mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi gjendjen e tyre shëndetësore. Kryetari i Bashkisë së Ciudad Rodrigo shprehu dhimbjen për ngjarjen, duke deklaruar se ajo që duhej të ishte një natë feste për suksesin e kombëtares spanjolle u shndërrua në një tragjedi për të gjithë komunitetin.

Në shenjë zie, bashkia ka shpallur tre ditë zie zyrtare, ndërsa u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës dhe u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve. Shatërvani në Ciudad Rodrigo është prej vitesh një nga pikat tradicionale ku tifozët mblidhen për të festuar fitoret sportive, shpesh duke u ngjitur mbi strukturën prej guri. Rrethanat e shembjes mbeten ende të paqarta dhe autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te siguria gjatë festimeve masive në hapësira publike, veçanërisht në monumente dhe struktura të vjetra, ku grumbullimet e mëdha mund të paraqesin rrezik për qytetarët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb