Të paktën 73 persona, përfshirë 17 fëmijë, humbën jetën në një aksident tragjik trafiku në Afganistanin perëndimor, shumica prej të cilëve ishin emigrantë afganë të deportuar nga Irani. Lajmin e konfirmoi për BBC Pashto një zyrtar i talebanëve, Ahmadullah Mottaqi, drejtor i informacionit dhe kulturës në provincën Herat.

Sipas autoriteteve, autobusi që transportonte emigrantët u përplas të martën në mbrëmje me një kamion dhe një motoçikletë në provincën Herat, duke marrë flakë menjëherë pas përplasjes. Të gjithë pasagjerët në autobus humbën jetën në vend, ndërsa viktima pati edhe nga automjetet e tjera të përfshira në aksident.

“Autobusi ishte nisur drejt Kabulit dhe të gjithë personat në bord ishin emigrantë që ishin hipur në automjet në Islam Qala, pranë kufirit me Iranin,” tha Mohammad Yousuf Saeedi, zëdhënës i guvernatorit të provincës për AFP.

Sipas policisë lokale, shkaku i aksidentit ishte “shpejtësia e tepërt dhe neglizhenca” e shoferit të autobusit.

Aksidentet rrugore në Afganistan janë të shpeshta për shkak të infrastrukturës së dëmtuar nga dekada konfliktesh, mungesës së sinjalistikës dhe zbatimit të dobët të rregullave të qarkullimit.

Ngjarja ndodhi në një kohë kur Irani ka rritur ndjeshëm deportimin e afganëve pa dokumente, që kanë ikur nga lufta, varfëria dhe pasiguria në vendin e tyre. Miliona afganë kanë ikur në Iran dhe Pakistan që nga vitet 1970, me valë të mëdha gjatë pushtimit sovjetik dhe pas marrjes së pushtetit nga talebanët në vitin 2021.

Irani kishte vendosur një afat deri në korrik për largimin vullnetar të afganëve pa dokumente. Por pas tensioneve me Izraelin në qershor, autoritetet iraniane filluan kthimin me forcë të qindra mijëra emigrantëve afganë, duke përmendur shqetësime për sigurinë kombëtare. Kritikët thonë se ky veprim mund të jetë një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga dështimet e brendshme të sigurisë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët njoftoi se mbi 1.5 milion afganë janë larguar nga Irani që nga janari i këtij viti. Shumë prej tyre kishin jetuar në Iran për breza të tërë.

Ekspertët paralajmërojnë se Afganistani, nën drejtimin e talebanëve, nuk ka kapacitetin për të përballuar kthimin masiv të qytetarëve të tij. Shteti po përjeton gjithashtu një fluks të madh të të kthyerve nga Pakistani, i cili ka ndërmarrë politika të ngjashme dëbimi.

“Kthimi i kaq shumë njerëzve po krijon një barrë të madhe mbi burimet tashmë të kufizuara të vendit, dhe kjo ndodh në një kohë kur ndihmat ndërkombëtare po shkurtohen në mënyrë dramatike,” deklaroi Arshad Malik, drejtor i organizatës Save the Children në Afganistan.

Tragjedia në Herat është një tjetër pasojë tragjike e krizës së thellë humanitare dhe migratore që po përjeton Afganistani.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb