Një aksident tragjik ka ndodhur në Argjentinë, ku një helikopter është rrëzuar gjatë një stërvitjeje për shuarjen e zjarreve në pyje, duke shkaktuar vdekjen e të shtatë anëtarëve të ekuipazhit.

Helikopteri tip Bell 412 u rrëzua pak pas ngritjes nga zona e San Juanit. Në bord ndodheshin drejtues të policisë, zjarrfikësve dhe strukturave të Mbrojtjes Civile, të cilët po merrnin pjesë në një program trajnimi për përballimin e emergjencave nga zjarret.

Sipas autoriteteve, helikopteri humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror ndërsa fluturonte në një lartësi rreth 4 mijë metra mbi nivelin e detit, pak para orës 10:30 me orën lokale. Kushtet atmosferike në momentin e aksidentit ishin të përshtatshme për zhvillimin e stërvitjes, ndërsa shkaqet e rrëzimit ende nuk janë bërë të ditura dhe po hetohen nga autoritetet.


Programi ku merrte pjesë ekuipazhi ishte organizuar nga Shërbimi Kombëtar i Zjarrfikësve dhe synonte trajnimin e rreth 50 pjesëtarëve të ekipeve lokale të emergjencës.

Mes viktimave janë konfirmuar zëvendësshefi i policisë së San Juanit, Marcelo Videla, shefi i zjarrfikësve Ruben Castro, drejtori i Mbrojtjes Civile Carlos Heredia dhe zëvendësshefi i zjarrfikësve Jorge Carbajal.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: