Një çift që kishte kaluar pothuajse gjithë jetën së bashku është përfshirë në një tragjedi që ka tronditur komunitetin në Florida. Një burrë 91-vjeçar akuzohet se ka vrarë gruan e tij 87-vjeçare brenda banesës së tyre fundjavën e kaluar.
Autoritetet njoftuan të hënën se William Leopold u arrestua dhe u akuzua për vrasje me paramendim të shkallës së parë, me përdorimin e armës së zjarrit.
Ngjarja ndodhi në zonën St. Augustine Shores, ku efektivët e Zyrës së Sherifit të Qarkut St. Johns iu përgjigjën një telefonate për të shtëna me armë në një banesë në Como Court Road. Pas mbërritjes në vendngjarje, policia gjeti gruan të vdekur brenda shtëpisë. Identiteti i viktimës nuk është bërë publik.
Fqinjët janë shprehur të tronditur nga ngjarja, duke përshkruar çiftin si njerëz të dashur dhe të respektuar në komunitet. Ata thanë se gruaja ishte e verbër dhe dyshohej se vuante nga sëmundja e Alzheimerit.
“Ajo ishte e verbër dhe e dobët, ndërsa më pas edhe ai filloi të dobësohej gjithnjë e më shumë. Por ata ishin një çift shumë i mirë dhe zemra e të gjithëve u thye”, tha fqinji Bill Meyers.
Policia ende nuk ka bërë të ditur motivin e mundshëm të ngjarjes. Hetuesit e Njësisë së Krimeve të Rënda kanë mbledhur prova nga vendi i krimit, ndërsa banesa vijon të jetë pjesë e hetimit. Autoritetet kanë deklaruar se nuk ka më rrezik për komunitetin, por hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vazhdojnë.
Sipas dëshmitarëve, policia përdori edhe një dron për të komunikuar me të dyshuarin dhe për ta bindur atë të dilte nga banesa. Banori i zonës, James Frazee, tha se efektivët i kërkuan Leopoldit të dilte jashtë me duart lart. Pas rrethimit të shtëpisë, 91-vjeçari u dorëzua dhe u shoqërua nga autoritetet.
