Tragjedi në Parco degli Acquedotti, ku dy persona u gjetën të pajetë brenda ndërtesës së njohur si Casale del Sellaretto, e cila u shemb pas një shpërthimi të ndodhur mbrëmjen e së enjtes, 19 mars, sipas mediave italiane.
Viktimat janë identifikuar si Alessandro Mercogliano dhe Sara Ardizzone. Sipas raportimeve paraprake, ata dyshohet se kishin lidhje me qarqe anarkiste dhe ndodheshin në ndërtesë për të ndërtuar një mjet shpërthyes. Burri kishte pësuar djegie të rënda, ndërsa gruaja kishte marrë plagë si pasojë e shembjes së strukturës së vjetër.
Alarmi u ngrit nga një kalimtar që po vraponte pranë zonës në mëngjesin e së premtes, 20 mars. Ndërkohë, banorët e zonës kishin raportuar se kishin dëgjuar një shpërthim të fortë që gjatë natës, nga godina e braktisur, e cila prej kohësh përdorej nga persona të pastrehë.
Në vendngjarje ndërhynë menjëherë forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ekspertët mjeko-ligjorë, së bashku me autoritetet lokale të Polizia Roma Capitale, për të hetuar rrethanat e ngjarjes.
Sipas burimeve, të dy viktimat dyshohet se kishin lidhje me rrethin e Alfredo Cospito. Po ashtu, raportohet se Sara Ardizzone kishte dhënë më herët deklarime në gjykatë në mbështetje të tij, një element që përforcon pistën hetimore që autoritetet kanë ndjekur deri tani.
