Një aksident tragjik ka ndodhur në Spanjën jugore, ku dy persona kanë humbur jetën pasi parashutat e tyre të fluturimit u përplasën në ajër, vetëm pak çaste pas nisjes. Ngjarja e rëndë u regjistrua të hënën, rreth orës 12:30, në Algodonales, në rajonin malor Sierra de Cádiz, një destinacion i njohur për sportin e paragliding-ut, që tërheq çdo vit mijëra të apasionuar nga e gjithë Evropa.
Sipas mediave spanjolle, viktimat janë një burrë 42-vjeçar me shtetësi libaneze dhe një grua amerikane 35-vjeçare, të cilët u përplasën në ajër gjatë fluturimit. Përplasja rezultoi fatale për të dy. Burri u konstatua i pajetë në vendngjarje nga ekipet e shpëtimit, ndërsa 35-vjeçarja ndërroi jetë pak kohë më vonë si pasojë e plagëve të rënda. Ende nuk është e qartë nëse dy viktimat njiheshin me njëri-tjetrin apo nëse kishin planifikuar të fluturonin së bashku.
Ngjarja ka tronditur komunitetin vendas, ndërsa shkollat e zonës kanë pezulluar të gjitha aktivitetet pas aksidentit. Bashkia e Algodonales ka shpallur dy ditë zie në nderim të viktimave. Tragjedia ndodhi vetëm pak javë pas zhvillimit të Kampionatit Spanjoll të Paragliding-ut, i cili u mbajt në Algodonales nga data 13 deri më 19 shtator. Rrethanat e sakta të përplasjes mbeten ende të paqarta.
Two foreign paragliders die following mid-air collision in Algodonales. An American woman and a Lebanese man have died following a paragliding collision at the Sierra de Lijar launch site in Algodonales, Cadiz.. https://t.co/cKfZA2lq5E
— SUR in English (@SUR_English) October 27, 2026
