Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin e Ugandës, Kampala, ku katër vajza të moshës 9 deri në 11 vjeçe kanë humbur jetën në rrethana të dyshimta, pas dyshimeve për helmim në shkollën ku mësonin.

Sipas informacioneve paraprake, tetë nxënës kishin konsumuar portokalle, të ndara nga një bashkëmoshatar. Pak kohë më pas, pesë prej tyre nisën të vjellin dhe shfaqën probleme serioze shëndetësore.

Katër vajzat nuk arritën të mbijetonin. Tre prej tyre ndërruan jetë në banesat e tyre, ndërsa e katërta humbi jetën në spital, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve. Nxënësi i pestë që shfaqi simptoma ndodhet ende në spital.

Policia ka arrestuar drejtorin e shkollës Ta’aliim Primary School and Quran Memorisation Centre për ta marrë në pyetje në kuadër të hetimeve. Ndërkohë, institucioni është rrethuar dhe shpallur skenë krimi.

Hetuesit pritet të vizitojnë edhe fshatin nga ku dyshohet se janë marrë portokallet e konsumuara nga fëmijët. Autoritetet kanë nisur ekzaminimet mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjeve.

Ngjarja ka shkaktuar dhimbje dhe zemërim te familjarët e viktimave. Mediat vendase kanë publikuar pamje të prindërve të pikëlluar, të cilët kanë treguar momentet e fundit të fëmijëve të tyre, duke ngritur gjithashtu shqetësime për mungesën e informacionit të qartë dhe në kohë nga ana e shkollës.

Policia u ka shprehur ngushëllimet familjeve dhe komunitetit të prekur, ndërsa ka bërë të ditur se informacione të tjera do të publikohen në vijim.

Tragjedia ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë ushqimore dhe kushtet higjieno-sanitare në shkollat e Ugandës, ku edhe më parë janë raportuar raste të nxënësve të sëmurë pas konsumimit të ushqimeve të dyshuara si të kontaminuara.

Shkaku i vdekjes së katër vajzave mbetet ende i pakonfirmuar, ndërsa hetimet dhe analizat mjeko-ligjore pritet të hedhin dritë mbi ngjarjen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: