E shtuna e 11 nëntorit 2023 do të mbetet e trishtë për tërë historinë e futbollit shqiptar. Arresti kardiak në fushën e blertë, që i mori jetën më pas Raphael Dëamena rrugës për në spital, tronditi mbarë opinionin tonë futbolldashës.

Madje, kjo vdekje tragjike e sulmuesit 28-vjeçar ganez bëri jehonë në tërë mediat botërore. Një moment shumë i vështirë, sikurse është humbja e jetës së një futbollisti mjaft të talentuar, por edhe rast për ndërgjegjësim, për kontrolle mjekësore shumë të rrepta në sportin dhe futbollin tonë.

Sidoqoftë, po dje, një tjetër ngjarje është regjistruar në futbollin tonë, por që kaloi disi në heshtje për shkak të tragjedisë në stadiumin e Rrogozhinës. Një arbitër futbolli ka rrezikuar seriozisht jetën në stadiumin e Fierit, ku është goditur në kokë me sende të forta.

Vetëm Zoti e ka shpëtuar gjyqtarin fushë-krujas Blerim Ziri, i cili ka rënë pa ndjenja në tokë, pasi stoli plastik i stadiumit, i hedhur nga një tifoz aty pranë, e ka goditur pas kokës. Ky incident i rëndë, sikurse thamë më lart, ndodhi në Stadiumin “Loni Papuçiu”, ku po zhvillohej ndeshja e Kategorisë së Parë, Apolonia-Vora 2-1.

Sikurse duket edhe në video, Blerim Ziri ishte arbitër i katërt dhe në momentin e goditjes ishte mes dy stolave të dy skuadrave, aty ku e ka të përcaktuar me rregullore. Tifozët nuk u mjaftuan me kaq, edhe pse i rrezikuan jetën arbitrit të katërt, tentuan të hyjnë në fushë.

Pasi shkatërruan hekurat e rrethimit të fushës, u ndeshën me forcat e policisë, që nxituan me shpejtësi për të mos agravuar skajshmërisht situata. FK Vora për atë që ndodhi në Fier, përmes kësaj komunikate zyrtare:

“Dëshirojmë të njoftojmë opinionin publik për ngjarjet e ndodhura në ndeshjen me FK Apolonia, e luajtur ditën e shtunë (11.11.2023) në stadiumin ‘Loni Papuciu’, në kuadër të javës së 11-të të Kategorisë së Parë. Në përgjigje të reagimit të publikuar nga skuadra e FK Apolonia për ndeshjen e zhvilluar, theksojmë se kryesia dhe i gjithë stafi i klubit tonë Vora distancohet dhe i dënon veprimet e tilla, ku lojtarët, stafi teknik dhe arbitrat ofendohen apo sulmohen në ndeshjet futbollistike në vendin tonë.

Qëndrimi apo reagimi juaj në disa raste nuk është i saktë për atë që ndodhi, sepse stadiumi i Apolonisë nuk i plotëson të gjithë kushtet e nevojshme për sigurimin e lojtarëve, stafit, drejtuesve dhe të tifozëve sipas rregullave të FSHF, kishte mungesë të theksuar sigurie.

Sa i përket arbitrit të katërt, Blerim Ziri, i goditur me stol në fundin e ndeshjes, stoli erdhi nga tribuna kryesore dhe jo nga sektori mik. Ftojmë klubin FK Apolonia që të jetë më konstruktiv në deklaratën që ka bërë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb