Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tragjedisë në Spanjë, ku si pasojë e një aksidenti tragjik hekurudhor humbën jetën 39 persona.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritetin me popullin dhe Qeverinë e Spanjës.

Reagimi

I dashur Pedro,

Me trishtim të thellë kam marrë lajmin për aksidentin tragjik hekurudhor të ndodhur në Adamuz.

Në emër të popullit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe solidaritetin tim me popullin dhe Qeverinë e Spanjës në këtë moment dhimbjeje.

Mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe me të gjitha ekipet që po punojnë pa u lodhur në përballimin e kësaj tragjedie.

Aksidenti hekurudhor ka ndodhur pasi vagonët e fundit të një treni Iryo, i cili ishte nisur nga Malaga me destinacion Madridin, dolën nga shinat pranë Adamoth. Si pasojë, një tren tjetër i kompanisë Renfe, që lëvizte në drejtim të kundërt, u përplas me vagonët e dalë nga shinat.

Duke folur për shkaqet e mundshme të aksidentit, ministri Puente theksoi se ato mbeten ende të panjohura dhe se zbardhja e plotë e ngjarjes do t’i lihet Komitetit të Hetimit të Aksidenteve Hekurudhore. Ai shprehu habinë për rrethanat e tragjedisë, duke vënë në dukje se treni Iryo ishte pothuajse i ri, vetëm katër vjeç.

Gjithashtu, Puente nënvizoi se linja hekurudhore ku ndodhi aksidenti ishte rinovuar plotësisht në maj të vitit 2025, në kuadër të një investimi prej 700 milionë eurosh, ndërsa segmenti ku ndodhi përplasja është një pjesë e drejtë e linjës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: