Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave të aksidentit tragjik në Bullgari, në të cilin humbën jetën së paku 46 persona.
“E trishtuar nga lajmi tragjik për përfshirjen nga flakët të një autobusi udhëtarësh nga Maqedonia e Veriut, në afërsi të Sofjes, në të cilin humbën jetën së paku 46 persona. Në këtë moment pikëllimi të thellë, ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe lutemi për të mbijetuarit.
U shprehim ngushëllime të gjitha familjeve të bashkëkombasve tanë shqiptarë që humbën jetën si dhe gjithë popullit dhe autoriteteve të fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut, prej nga vinin shumica e udhëtarëve, si dhe atyre të Bullgarisë, në tokën e të cilëve ndodhi tragjedia.
Republika e Kosovës vetëm pak kohë më parë e përjetoi një tragjedi të tillë dhe i di mirë përmasat e dhimbjeve të tilla, por edhe nevojën për të reaguar shpejt, prandaj do t’u qëndrojmë afër vëllezërve e motrave tona si dhe miqve tanë në këto momente të vështira për ta”.
