Një prokuror serb ngriti të martën padi ndaj 13 personave, përfshirë një ish-ministër, për rolin e tyre në shembjen e çatisë së një stacioni hekurudhor vitin e kaluar që vrau 16 persona dhe shkaktoi muaj të tërë protestash antiqeveritare në të gjithë vendin.

Ish-ministri i ndërtimit, infrastrukturës dhe transportit, Goran Vesiç, dhe 12 të tjerë, përfshirë ndihmësin e tij dhe kreun e kompanisë hekurudhore, u paditën për akuza për siguri publike, tha zyra e prokurorit në qytetin e Novi Sadit në një deklaratë.

Aktakuza përfshin “vënien në përdorim të ndërtesës së stacionit, edhe pse punimet e ndërtimit ishin duke u zhvilluar dhe nuk ishte lëshuar një leje (për ta mbajtur ndërtesën në përdorim),” thuhej në deklaratë.

Akuza të tjera janë “mosmirëmbajtja e strukturës së ndërtesës së stacionit dhe për vepra penale gjatë fazës së projektimit dhe ekzekutimit të rinovimit të ndërtesës së Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit.  Aktakuza duhet të verifikohet nga një gjykatë.

Muaj të tërë protestash në të gjithë Serbinë pas shembjes së çatisë, përfshirë mbylljen e universiteteve, kanë tronditur sundimin e Presidentit Aleksandar Vuçiç, një ish-ultranacionalist i cili u konvertua në kauzën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian në vitin 2008.

Protestuesit të cilët fajësojnë korrupsionin për katastrofën, kërkojnë zgjedhje të parakohshme që shpresojnë se do ta largojnë Vuçiçin dhe partinë e tij nga pushteti pas 13 vitesh.
Ata akuzojnë Vuçiçin dhe aleatët e tij për lidhje me krimin e organizuar, dhunë kundër rivalëve dhe kufizim të lirive të medias. Vuçiç i mohon akuzat.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb