Bota e futbollit është në zi pas tragjedisë së ndodhur në Rumani, ku një grup prej 7 tifozësh të PAOK, të cilët ishin nisur drejt Francës, për të ndjekur ekipin e tyre të zemrës në Europa League, pësuan një aksident fatal në Timisoara, në atë që konsiderohet si autostrada e vdekjes.

Një parakalim i gabuar dhe një përplasje kokë me kokë me një autocisternë i mori jetën 7 djemve të rinj, mes tyre për fat të keq edhe 1 shqiptar, fans i ekipit të PAOK. Sipas mediave greke i riu shqiptar është identifikuar si Vasil Pilo. Së bashku me të ishte prezent edhe një shqiptar tjetër Genci Sadiku i cili shpëtoi mrekullisht.  Tre persona të tjerë u plagosën rendë, ku një prej tyre ndodhen në gjendje kritike në spital.

I menjëhershëm ishte reagimi i të gjithë aktorëve të futbollit, klubeve, fansave kudo në botë, por dhe i politikës, në Shqipëri dhe Greqi: “Jam informuar për aksidentin tragjik në Rumani, i cili mori jetën e shtatë bashkatdhetarëve të rinj. Qeveria greke dhe ambasada jonë janë në koordinim të ngushtë me autoritetet lokale, duke ofruar çdo formë të mundshme mbështetjeje”, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Nuk janë ende të qarta arsyet e këtij aksidenti fatal, por mediat në Greqi publikuan së fundmi jo vetëm pamjet, por dhe itinerarin e grupit prej dhjetë djemsh. Bazuar në të dhënat e GPS, në kohën e aksidentit kishin mbetur ende 17 orë e 16 minuta për të përfunduar udhëtimin drejt Lionit. Koha totale e udhëtimit, pa ndalesa, llogaritet në 21 orë e 56 minuta, pothuajse një ditë e plotë drejtimi të vazhdueshëm. Itinerari i automjetit përshkruan një udhëtim të gjatë dhe të mundimshëm, i cili u ndërpre dhunshëm në autostradën DN6, vetëm pak kilometra pas nisjes nga Lugoj.

Fillimisht drejtuesit e klubit të PAOK kërkuan që ndeshja e tyre kundër Lyon të shtyhej, por kjo kërkesë nuk u mor në konsideratë nga UEFA, thjesht do të bëhen homazhet e rastet në stadium.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb