Këngëtari i njohur grek Giorgos Mazonakis ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare, pas një ataku në zemër. Vdekja e tij u konfirmua në Spitalin “Elpis”, ku u transportua me urgjencë pasditen e së mërkurës.
Sipas informacioneve të bëra publike, thirrja për ndihmë mjekësore u bë nga një klinikë private në Kolonaki, ku kishte shkuar Mazonakis. Stafi i klinikës njoftoi shërbimin e urgjencës se këngëtari kishte pësuar një atak në zemër. Një ekip shpëtimi mbërriti menjëherë në klinikë dhe nisi reanimimin kardiopulmonar (CPR). Pak minuta më vonë, Mazonakis u transportua me ambulancë drejt Spitalit “Elpis”, si spitali më i afërt në gatishmëri.
Përpjekjet për ta rikthyer në jetë vijuan edhe në urgjencën e spitalit, por pa rezultat. Mjekët nuk mundën ta shpëtonin dhe e shpallën të vdekur.
Sipas të dhënave paraprake, 54-vjeçari kishte shkuar në klinikën private për t’iu nënshtruar një trajtimi të planifikuar me plazmaferezë. Menjëherë pasi iu vendos kateteri intravenoz, ai pësoi krizën shëndetësore.
Giorgos Mazonakis ishte një prej zërave më të njohur të brezit të tij në muzikën greke. Ai lindi në mars të vitit 1972 në Nisë dhe nisi të bëhej pjesë e industrisë diskografike që në vitin 1992, kur ishte vetëm 20 vjeç.
Me një karrierë që zgjati për më shumë se tri dekada, Mazonakis u shndërrua në një prej figurave më të spikatura të skenës muzikore greke.
