Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Deltën e Danubit në Rumani, ku një varkë rekreative që transportonte 14 persona u përmbys gjatë një stuhie të fortë. Ngjarja ndodhi të hënën, në degën Sulina të Danubit, në qarkun Tulcea, pranë Detit të Zi.
Sipas Autoritetit Detar Rumun, varka u përball me kushte atmosferike të pafavorshme, përfshirë erëra të fuqishme dhe dallgë deri në 2 metra të larta. Për pasojë, katër persona humbën jetën, mes tyre edhe një fëmijë.
Dhjetë personat e mbijetuar u dërguan menjëherë në spital nga autoritetet lokale të emergjencës. Mësohet se gjashtë prej tyre kishin të veshura jelekë shpëtimi dhe arritën të notonin deri në breg. Identiteti dhe kombësia e viktimave nuk janë bërë ende publike nga autoritetet.
Ngjarja po hetohet për të përcaktuar përgjegjësitë dhe rrethanat e sakta të aksidentit detar.
(Balkanweb)
