Niko Andiç, 12 vjeç, ka ndërruar jetë në spital pas një sulmi nga një peshkaqen në Sydney, njoftoi familja e tij. Djali ishte plagosur rëndë më 18 janar në plazhin Neilson, i njohur si “Plazhi i Peshkaqenëve”, ndërsa po kalonte kohë me miqtë e tij.

Pas kafshimit të peshkaqenit, Niko pësoi lëndime të rënda në këmbë dhe u dërgua urgjentisht në Spitalin e Fëmijëve të Sydney-t, ku qëndroi në gjendje kritike deri në ditët e fundit. Pothuajse një javë pas incidentit, prindërit, Lorena dhe Juan Andiç, njoftuan vdekjen e djalit të tyre, duke shprehur hidhërimin e thellë: “Niko ishte një fëmijë i lumtur, miqësor dhe atletik, me mirësi dhe bujari. Ai ishte gjithmonë plot jetë dhe kështu do ta kujtojmë.”. Familja gjithashtu falenderoi ekipet e shpëtimit dhe stafin mjekësor për kujdesin e ofruar dhe komunitetin lokal për mbështetjen, duke kërkuar respekt për privatësinë e tyre në këtë kohë të vështirë.

Rrethanat e sulmit
Sulmi ndodhi ndërsa fëmijët po hidheshin nga shkëmbinjtë në fund të plazhit. Një peshkaqen, sipas autoriteteve ndoshta një peshkaqen dem, sulmoi Nikosin. Miqtë e tij reaguan menjëherë dhe e nxorën jashtë ujit, veprim për të cilin u lavdëruan për guximin dhe qetësinë.

Ngjarja ishte pjesë e një serie sulmesh nga peshkaqenë që ndodhën në ditët në vijim, duke rritur shqetësimin mes autoriteteve dhe plazhistëve. Steve Pearce, kreu i Surf Life Saving NSW, paralajmëroi se pas motit të keq, rrjedhjet e ujërave të ëmbla mund të tërheqin peshkaqenë pranë brigjeve, duke bërë disa zona të pasigurta për not dhe surfim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb