Dinamo do të përballet të mërkurën me Partizanin në kuadër të javës së fundit të fazës së parë. Sfida e javës së nëntë, është planifikuar të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”, duke qenë se “Selman Stërmasi” është mbjellë, teksa skuadra ka vijuar me përgatitjet në prag të këtij takimi.
Fitorja e fundit ndaj Vorës dhe forma që skuadra ka treguar në javët që lamë pas, ka rritur besimin në kampin blu, teksa ndaj Partizanit do të ketë dy rikthime të rëndësishme në skuadër. Gasama Karamba duket se e ka lënë pas dëmtimin e pësuar pak ditë më parë dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e së mërkurës.
Mesfushori nga Gambia është bashkuar me skuadrën dhe nuk ka shfaqur probleme duke dhënë sinjalin se është i gatshëm për mesjavën. Ndërkohë, i gatshëm për Dajën do të jetë edhe mbrojtësi Lorran i cili ka shlyer kartonin e kuq që mori ndaj Egnatias dy javë më parë. Mungesa e vetme, është ajo e Naser Alijit që ka shfaqur shqetësime për shkak të pubalgjisë dhe pritet që ditët në vijim të bëhet një kontroll tjetër për të vlerësuar gjendjen e tij dhe për të ditur se kur do të rikthehet në fushë.
Në 8 ndeshjet e para që ka zhvilluar, Daja në pak ndeshje ka pasur mundësi të ketë skuadrën e plotë duke qenë se shpesh ka pasur mungesa të rëndësishme për shkak të dëmtimeve por edhe kartonëve të kuq. Ndryshimet në formacion, në shumicën e rasteve kanë qenë të detyruara për shkak të gjendjes fizike ose pezullimeve.
