Trajneri i Izraelit, Andi Herzog, ka folur sot në konferencën e zakonshme për shtyp në lidhje me ndeshjen kundër Shqipërisë që do të luhet nesër në “Elbasan Arena” në orën 20:45.


Numri 1 i pankinës izraelite përveçse ka evidentuar forcën e kombëtares kuqezi shprehet se në Shqipëri është me synimin për të fituar.

“Normalisht që jam i emocionuar dhe mezi pres të fillojë ndeshja. Jam i lumtur që do të luajmë nesër. Mendoj se skuadra është gati dhe pres që nesër të shkojë çdo gjë mirë. Ne do të kemi sukses kur të mësojmë të luajmë bashkë të gjithë. Ne gjithmonë kemi pasur kualitet për t’i fituar ndeshjet, por duhet të zbatojmë siç duhet detyrat tonë.

Liga e Kombeve është një mundësi shumë e madhe për të dyja kombëtaret. Shpresoj që të marrim një rezultat pozitiv. E dimë që Shqipëria ka disa lojtarë të rinj dhe do të shikojmë se si do të shkojë.

Të dyja skuadrat janë të forta edhe pse të ndryshme nga njëra tjetra, pasi ne e dimë që Shqipëria është e fortë. Herën e parë ne fituam këtu, por ju fituat atje. Ne do të kemi shanset tona për të fituar, por edhe Skocia nga ana tjetër është një ekip shumë i fortë që do i hap punë të gjithëve. Por unë preferoj të flas për Skocinë pas ndeshjes me Shqipërinë.

Duhet të prisja që federata të më lejonte ta thërrisja Zahavin. Unë doja lojtarët më të mirë në skuadër dhe tashmë ai është rikthyer dhe mund të na bëjë punë.”

(BalkanWeb)