Partizani do të sfidojë Valmieras të enjten në orën 19.00 në Skonto stadions (Riga), në sfidën e vlefshme për truin e 3-të të Conference League. Në konferencën e zakonshme për shtyp për këtë takim, trajneri i të kuqve, Zoran Zekiç është shfaqur optimist.

Si e prisni përballjen ndaj Valmieras?

Valmiera është një skuadër që meriton vlerësim maksimal. Ata janë kampionët në fuqi të Letonisë. Kanë ndryshuar disi, pasi nga skuadra aktuale ditët e fundit kanë patur edhe largime. Kjo gjë ndoshta mund të na i vështirësoj paksa gjërat, pasi ne e kemi analizuar kundërshtarin nga përballjet e fundit që ka zhvilluar. Por kam shumë besim tek skuadra. Pas gati 2 muaj bashkë tashmë kuptohemi më mirë me njëri- tjetrin, çfarë na duhet të bëjmë për të qenë kompetitiv në Europë.

E konsideroni vendimtar takimin e parë?

Nuk mendoj se do të jetë përcaktues ndeshja e nesërme, pasi do të luajmë dy të tilla. Po ta shikoni përgjatë këtyre tureve, rezultatet kanë ndryshuar nga ndeshja e parë tek e dyta. Na duhet vetëm të përqëndrohemi te 90 minutat e nesërme e më pas do të mendojmë për sfidën e kthimit.

Në radhët e Valmieras ka mjaft lojtarë të huaj keni marrë informacione?

Sigurisht që kemi siguruar informacionet e duhura, ashtu sikurse edhe kundërshtari ka marr informacione për ne. Ne duhet të jemi shumë të disiplinuar si në çdo ndeshje, të vrapojmë shumë, të jemi kompakt për të bërë lojën tonë. Përpara ndeshjes mund të kemi shumë për të folur, por në momentin që fillon ndeshja çdo gjë është e hapur dhe mund të vendoset edhe nga disa episode.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb