Legjenda e Spartak Moskës, Valeriy Kechinov, ka dhënë një vlerësim pozitiv për transferimin e sulmuesit shqiptar Mirlind Daku, duke shprehur bindjen se sulmuesi i Kombëtares mund të ketë ndikim të madh te skuadra ruse.

Në një intervistë për Match TV, ish-futbollisti i Spartakut e ka cilësuar transferimin e Dakut si një përforcim që zgjidhte një prej nevojave kryesore të ekipit në repartin ofensiv.

“E kam thënë tashmë se na duhej të forconim pozicionin e qendërsulmuesit. Blerja e Dakut e zgjidhi këtë problem. Jam i sigurt se Mirlindi do të jetë një ndihmë e madhe për Spartakun. Është e vështirë të thuhet saktësisht se sa gola do të shënojë. Por te Spartaku jam i sigurt se duhet të shënojë shumë më tepër sesa shënoi te Rubin Kazani”, deklaroi ai.

52-vjeçari është një prej emrave të njohur të historisë së Spartak Moskës. Ai e veshi fanellën e klubit nga viti 1994 deri më 2001, duke u shndërruar në një prej figurave të rëndësishme të skuadrës gjatë asaj periudhe.

Ndërsa rikujtojmë që Daku iu bashkua Spartak Moskës më 6 gusht, duke u transferuar nga Rubin Kazani për rreth 11 milionë euro.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb