Gazetari Artan Hoxha ka komentuar në studion e News24 transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u krye ky proces dhe personat që, sipas tij, kanë ndikim në zonën ku ndodhet institucioni i vuajtjes së dënimit.

Hoxha pretendoi se transferimi i Veliajt është kryer me urgjencë dhe pa një shkresë zyrtare, duke iu referuar komunikimeve që tha se kishte pasur me autoritetet e burgjeve.

Ai ngriti pikëpyetje edhe për faktin se në të njëjtin burg janë transferuar apo ndodhen edhe persona të tjerë, duke përmendur emrin e Ergys Agasit. Sipas Hoxhës, transferimi i tyre në burgun e Fierit merr një tjetër domethënie për shkak të kontrollit politik dhe institucional që ai pretendon se ushtrohet në atë zonë.

Gazetari përmendi në këtë kontekst edhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke pretenduar se qarku i Fierit është një zonë ku ajo ka ndikim të rëndësishëm.

Ai shtoi se transferimi nuk ishte thjesht një lëvizje administrative, por një mesazh politik për kryebashkiakun e Tiranës dhe për figura të tjera brenda Partisë Socialiste.

“Ne kemi së pari, këto lloj qeverish dhe këta lloj autokratësh i rrëzon zullumi që kanë shkaktuar. Ata kanë uzurpuar kaq shumë pushtet dhe e kanë grabitur kaq shumë këtë vend. Pra, i rrëzon drejtësia. Ky lloj zullumi dhe ky lloj abuzimi me pushtetin kanë krijuar këtë pakënaqësi popullore. Dhe kjo pakënaqësi, sepse jemi një vend europian dhe anëtar i NATO-s, nuk mund të shndërrohet në një revoltë të armatosur për rrëzimin e pushtetit. Ne e dimë këtë gjë, por ky lloj abuzimi me pushtetin çon në pakënaqësi popullore dhe kjo pakënaqësi më pas e merr përpara dhe e fshin edhe atë që duket si njeriu më i fortë dhe më i paprekshëm.

Dua të jap një element për ta përmbyllur këtë. Mbajeni mend kur Edi Rama erdhi në pushtet, mori kabinetin dhe bëri një xhiro në bulevard. Nuk kishte as truproja dhe asgjë tjetër. Po sot nuk ka më makina të blinduara që t’i sigurojnë ministrat e Ramës të dalin në qytet. Ta provojë Edi Rama të dalë me duart në xhepa në bulevard, ta provojë të dalë nesër. Ai dilte shpesh. Sot mezi pret të dalë dita, të bëjë ato videot dhe më pas zhduket nga qarkullimi. Pse nuk e bëjnë dot sot? Deputetët nuk gjejnë vend ku të fshihen nga qytetarët. Ministrat, edhe në avion apo jashtë shtetit, nuk gjejnë qetësi, nuk gjejnë ku të ulen. Një herë më kanë thënë: “Aman, na thuaj një orar takimi, një vend ku ata do të mblidhen, sepse do t’u vijmë atje”. Pra, pse ka ardhur kjo situatë dhe kjo pakënaqësi? Ka ardhur pikërisht për shkak të mënyrës se si është keqqeverisur ky vend.

Ai njeri që dilte krenar në mes të qytetit, me duart në xhepa, dhe sfidonte kundërshtarët e tij politikë, sot nuk gjen vrimë ku të futet. E dini sa e ka shtuar numrin e makinave dhe të eskortave? Rastësisht, ditën që vinte nga Vlora, ishin të paktën 11 makina. Sa më shumë shton makinat e blinduara, aq më shumë i ngushtohet laku.

Ajo që ndodhi me Erion Veliajn ditën e djeshme është domethënëse. Unë jam një njeri që kam bërë betejë me Erion Veliajn. Nuk di të ketë sulmuar njeri aq fort sa unë, por ajo që bëri dje Edi Rama nuk ishte një mesazh vetëm për Erion Veliajn.

Ajo që bëri Edi Rama ishte një kërcënim tipik mafioz. Mafia dhe krimi i organizuar e dinë ku të të prekin për të të thënë: “Mblidh mendjen para se të të vrasin”. Të prekin te familja, te nëna, te gruaja, te fëmija. Unë dje i pashë të gjithë këta elementë dhe u lejuan kamerat të filmonin pikërisht këtë skenë. Nëse Edi Rama nuk do të kishte gisht në atë që ndodhi dje, si u lejuan kamerat të ishin aty?

Kur pamë nënën e Erion Veliajt, bashkëshorten e tij dhe foshnjën e tij, pamë një skenë që, sipas meje, përcillte një mesazh kërcënues. Erion Veliaj mund të ketë një mijë gjëra për të sqaruar, por atë lloj kërcënimi ta bën vetëm mafia. Dhe ai kërcënim nuk ishte vetëm për Erion Veliajn, por për të gjithë “Erionët” e tjerë të Partisë Socialiste, që këto kohë kanë menduar se Edi Ramës po i rrëshqet këmba.

Edi Rama dje u tha të gjithë njerëzve të tij, atyre që kërkuan llogari, përfshirë Toni Gogun, se do t’ua bëjë si Erion Veliajt dhe se, kur ia bën këtë kryebashkiakut të kryeqytetit, me të cilin ka ndarë mbi 20 vite pushtet, nuk pyet askënd tjetër. Ky kërcënim ishte për të gjithë socialistët: nëse guxoni të dilni nga rreshti, do t’jua bëj si Erion Veliajt. Nënat, gratë dhe fëmijët tuaj do të përfundojnë duke ju vizituar në burg.

Kjo është një situatë jashtëzakonisht e rëndë. Si u gjendën kamerat pikërisht në atë moment? Kush e dinte se çfarë do të ndodhte? E njëjta pyetje lind edhe për rastin e arrestimit të Ilir Metës. Si u gjendën kamerat aty dhe kush e dinte se ai do të arrestohej në atë moment?

Ajo që ndodhi dje është shumë e rëndë. Kur shoh se në Partinë Socialiste kanë heshtur të gjithë pas asaj që iu bë Erion Veliajt, kuptoj se mesazhi nuk ishte vetëm për të. Sot po hyjmë në një periudhë zgjedhjesh dhe Erion Veliaj kthehet në një pengesë të madhe për kryeministrin, duke kërkuar të kontrollojë bashkinë nga burgu. Ai po i hap një gropë të madhe kryeministrit. Nga ana tjetër, Rama bëri edhe dy shkarkime të tjera, duke larguar njerëzit e tij. Këtë gjë Erion Veliaj nuk do t’ia falë.

Megjithatë, Erion Veliaj është në një situatë krejt tjetër. Ai është në burg dhe nuk është në pozicionin e Arben Ahmetajt, i cili bën denoncime nga jashtë. Erion Veliaj sot e ka kuptuar se nga i ka ardhur kjo situatë dhe kush ia ka krijuar.

Edhe transferimi i tij, po atë ditë, ngre pikëpyetje. Unë kam komunikuar me autoritetet e burgjeve dhe, sipas informacionit që mora, nuk kishte asnjë shkresë zyrtare. Ata kishin shkuar në burgun e Durrësit dhe kishin kërkuar që ta merrnin menjëherë, me urgjencë. Më pas, Veliaj u transferua atje, ndërsa edhe persona të tjerë u grumbulluan në të njëjtin burg. Ne e dimë se kush e kontrollon atë qark dhe kush ka përgjegjësi për institucionet atje. Pra, çfarë po bën kryeministri? Erion Veliajn nuk e ka çuar SPAK-u atje, por Drejtoria e Burgjeve, e cila është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Do të donim që Erion Veliaj të bëhej aktiv, por atje ku e kanë çuar, mund të negociojë vetëm për supën e burgut. Unë kam thënë se është i marrë peng. Me atë që i bëri dje Edi Rama, Veliaj është kthyer në një shembull për të gjithë të tjerët: guxoni të dilni nga rreshti dhe do të përfundoni si Erion Veliaj, bashkë me familjen tuaj”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb