MAMURRAS- Rreth 200 kg lëndë narkotike marijuanë dhe 4 litër vaj hashashi, janë kapur nga policia e Lezhës pranë aksit rrugor Fushë Krujë-Mamurras. Lënda narkotike u bllokua gjatë transportimit të saj, ndërsa në pranga kanë përfunduar 4 persona.

Tofik Koleci, 54 vjeç, banues në Krujë, Miri (Ardit) Koleci, 32 vjeç, banues në Krujë, Mirand Qira, 42 vjeç, banues në Krujë, si dhe Ndriçim Doku, 39 vjeç, banues në Krujë akuzohen për “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Gjatë kontrollit atyre iu është gjetur edhe një armë zjarri pistoletë me 7 fishekë.

Në operacionin e koduar me emrin “summer storm” mori pjesë sektori për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lezhë dhe Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme. Bllokimi i lëndës narkotike dhe arrestimi i katër trafikantëve ishte finalizim I një pune disa javore me metoda proaktive.

Ndërkaq, vazhdon puna për evidentimin e personave të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb