Ish-presidenti Ilir Meta, ka bërë një reagim lidhur me çështjet e ndodhura në 12 shtator dhe 14 shtator të 1998.

Meta ka kujtuar dy ngjarje që sipas tij nuk dihet të ndodhnin. Në qëndrimin e tij Meta thotë se vrasja e Azem Hajdarit ishte një ngjarje e paralajmëruar dhe se duhet të ishte parandaluar.

“Vrasja e tij nuk ishte produkt i një konflikti “tropojanësh”, por e qëndisur me kujdes nga duar të padukshme dhe mjeshtërore që shfrytëzuan persona të caktuar, për të arritur objektivat e tyre”, shprehet Meta.

Më tej Meta thekson se paraditen e 13 shtatorit “shpërtheu një llavë revolte e militantëve të PD drejt Kryeministrisë dhe se në mbrëmje kryeministri i atëhershëm Fatos Nano bëri një mbledhje në zyrën e tij, ku bëri edhe vlerësimin e rrezikshmërisë së lartë të situatës.

REAGIMI I PLOTË:

Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi më 12 Shtator, por edhe më 14 Shtator 1998.

Ndodhën dy ngjarje që nuk duhej të ndodhnin, por të kushtëzuara nga njëra-tjetra (shkak-pasojë), vrasja e Azem Hajdarit ishte një ngjarje e paralajmëruar që duhej të ishte parandaluar.

Vrasja e tij nuk ishte produkt i një konflikti “tropojanësh”, por e qëndisur me kujdes nga duar të padukshme dhe mjeshtërore që shfrytëzuan persona të caktuar, për të arritur objektivat e tyre.


Më duhet të theksoj, se personi më i painteresuar të ndodhte një gjë e tillë, ishte Fatos Nano.

Por përmasat e kësaj vrasje, vendi ku ndodhi, mosndalimi i automjeteve dhe fakti se disa prej tyre ishin drejtues policie, vetvetiu do të bënin si përgjegjës politik për këtë vrasje, Kryeministrin dhe jo Ministrin e Brendshëm që ishte më shumë figurë teknike nga një parti aleate.

Por, midis 12 dhe 14 Shtatorit qëndron 13 Shtatori, i cili ishte i rëndësishëm për t’i lidhur dy ngjarjet.

Paraditen e 13 Shtatorit, shpërthen një llavë revolte e militantëve të Partisë Demokratike drejt Kryeministrisë, duke paralajmëruar kështu “tsunamin” për ditën tjetër.

Në mbrëmje, Kryeministri Nano, na bëri një mbledhje në zyrën e tij, ku merrnin pjesë disa anëtarë të Qeverisë dhe të Kryesisë së Partisë Socialiste.

Pasi bëri një vlerësim të rrezikshmërisë së lartë të situatës dhe potencialit të paparashikueshëm e destabilizues për të nesërmen, ai na njohu me një takim që kishte patur me dy nga ambasadorët më të rëndësishëm në Presidencë për situatën.

Një prej tyre i kishte sugjeruar të jepte dorëheqjen me qëllim ç’tensionimin e situatës, pasi ngjarja e ndodhur ishte shumë e rëndë.

“Dakord, – u kishte thënë Nano, “po kujt t’ja le Qeverinë?”

Kur Fatosi përmendi një emër që i kishin sugjeruar, të gjithë ata që mezi prisnin t’i zinin vendin, brofën në këmbë dhe thanë, në asnjë mënyrë, e kështu Nano iu bind këtij qëndrimi.

Se cili ishte emri nuk ka rëndësi, se në çdo rast do ishte Partia Socialiste që do të zgjidhte Kryeministrin pasues.

Por u humb një mundësi e madhe për të shmangur 14 Shtatorin e pasojat e tij dhe për këtë ishte përgjegjësia e të gjithë ne atë mbrëmje, që nuk gjykuam më thellë dhe nuk parashikuam pasojat.

Do të kishte qenë shumë më mirë për vendin, por edhe vetë Nanon, që të jepte dorëheqjen atë mbrëmje dhe jo disa ditë më vonë.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: