Pas festimeve të fitores së Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve, kryeqyteti francez u përball me trazira të rënda përgjatë bulevardit të famshëm Champs-Elysées.

Shefi i policisë së Parisit, Laurent Nuñez, doli sot në një konferencë për shtyp për të dhënë detaje rreth ngjarjeve të mbrëmshme, duke i quajtur ato “të trishtueshme” dhe “të papranueshme”.

Sipas Nuñez, disa dyqane u bastisën, përfshirë një shitës makinash, një berberhane dhe një dyqan këpucësh sportive, ku u arrestuan deri në 30 persona.

Gjatë përplasjeve mes individëve të dhunshëm dhe forcave të rendit, ndaj policëve u hodhën fishekzjarre, ndërsa nëntë oficerë policie mbetën të plagosur. Gjithashtu, 192 qytetarë u plagosën gjatë incidenteve të mbrëmjes.

“Me shumë trishtim njoftojmë se një person ka humbur jetën,” deklaroi shefi i policisë, duke sqaruar se bëhet fjalë për një 24-vjeçar i cili vdiq pas një përplasjeje me një automjet. Ende nuk është konfirmuar nëse ky incident lidhet drejtpërdrejt me festimet, por autoritetet kanë hapur një hetim.

Nuñez theksoi se është e rëndësishme të bëhet dallimi mes tifozëve të vërtetë të PSG-së, të cilët festuan me pasion dhe qytetari, dhe individëve që kërkojnë konfrontim me policinë.

“Ka një grup të vogël që sa herë ka festime, del vetëm për t’u përleshur me forcat e rendit. Kjo nuk duhet pranuar më,” u shpreh ai. “Është e trishtueshme që një pakicë jep një imazh të gabuar për gjithë tifozët e futbollit.”

Në prag të paradës së titullit të PSG-së që do të mbahet sot, shefi i policisë paralajmëroi një prani të shtuar të forcave të rendit dhe ushtrisë në Champs-Elysées, për të shmangur përsëritjen e skenave të dhunshme.

(BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb