Tre artistë shqiptarë të artit bashkëkohor ekspozuan punët e tyre në “Parallel Vienna 2015”. Yllka Gjollesha, Ardian Isufi dhe Matilda Odobashi morën pjesë në ekspozitën e mbajtur në datat 23-27 shtator. “Parallel Vienna” është një event i artit bashkëkohor, që fton artistë, kuratorë dhe galeri që i përshtaten konceptit të saj. “Parallel Vienna 2015” ishte shfaqje arti, ekspozitë, galeri dhe studio. Këtë vit në të morën pjesë 400 artistë, 20 galeri, 40 projekte dhe 15 kuratorë. ARTISTËT Yllka Gjollesha u paraqit me dy punë: “Mute” dhe “Familja”.
“Mute” lindi nga funksioni “Mute”, që është heqja e plotë e audios me telekomandë. Ky gjest i thjeshtë ndan imazhin prej zërit dhe e shpërfaq qartë veçorinë e tij, tashmë të pazëshme. Imazhi fiton një status tjetër, duke ndryshuar njëherazi edhe perceptimin e shikuesit ndaj tij. Orkestra po luan një pjesë simfonike dhe shikuesi (i kësaj videoje) gjendet befasisht vetëm përpara veprimit, gjesteve dhe dinamikës vizuale të kësaj skene të “cunguar”.
Emocioni përpara një vepre simfonike shfaqet i tjetërsuar. Dirigjenti dhe orkestrantët janë vetëm, jashtë tyre është një botë tjetër me “audion” e saj krejt të ndryshme dhe rastësore, e cila udhëton paralelisht me imazhin dinamik e “memec” të orkestrës, duke krijuar një lojë spontane, ku nuk mund të përcaktohet saktë nëse imazhi është në funksion të audios apo e kundërta. Secili prej tyre “dëgjon” muzikën e tij dhe i jep veprës fytyrën që i shkon më shumë përshtat. Ndërsa “Familja”, siç shënohet në konceptin kuratorial të Zef Pacit, krijohet prej tre monitorëve që përcjellin imazhin e tre njerëzve që formojnë një familje. Tek të tria videot procesi ndiqet me vëmendje në plane të afërta.
Burri realizon procese të ndryshme të rregullimit e në fund të akordimit të një pianoforteje. Ky proces shpaloset duke të sjellë ndërmend similitudën e Kandinskijt për elementet e pianos dhe artistin, gjë e cila kërkon të rendojë një hierarki rëndësie të elementeve. Këtë performim pa publik e bën jo një artist, e ky proces akordues formon një ‘melodi’ rastësore pa partiturë. Tek videoja tjetër zbulojmë zanatin e moçëm e të fisshëm të gruas, qëndisjen, e dora-dorës ajo ravijëzon me anë të zanatit të saj, objektin e punës së të shoqit.
Në videon e tretë vajza luan piano në dhomën e saj të studimit, në të cilën ka vendosur një poster të operës La Scala. Kuptohet se jo vetëm lidhjet ligjore i bëjnë të jenë një familje, por edhe përkatësia e së njëjtës familje qeniesh: persona që punojnë për syprinën, por më shumë në brendësinë e objektit. Një impostim i tillë, mbas skenave e dukjeve, është intim dhe i bashkon të dy në mënyrën e jetesës dhe të veprimit. Kundrejt një përditshmërie me luhatje të mëdha dhe të shumëllojshme, përditshmëria e tyre në hije merr një ngjyrim prekës e poetik. Yllka Gjollesha është një artiste bashkëkohore, që punon në mediumin e video-artit, që heton efektet emocionale, përcjellë nga imazhi dhe tingulli. Veprat e saj janë emocionale, poetike që e çojnë publikun larg në kohë, për shkak të elementëve të tyre nostalgjik dhe dashurisë për gjërat e harruara. Ajo punon si asistente në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Urban, Tiranë.
Ardian Isufi u prezantua me veprën “Hibrid” (Teknikë e përzier, dental rezine poliestër dhe teknika të përziera). Objekti prezanton një lojë me imazhin, e paraqitur me zëvendësimin e kokrrave të misrit në objektin “kalli” me dhëmbë njerëzore dhe vjen si një trashendencë e qëndrimit artistik mbi “përmbajtjen dhe interpretimin e imazhit” në veprën “Kjo nuk është një pipë” të surrealistit Rene Magritte. Loja pamore reflekton dilemën humane të kafshim- uzurpimit dhe ironizon individin duke tjetërsuar rolet dhe funksionet, ku “kalliri” kthehet në një qenie hibride kanosëse si mutacion dhe për pasojë si deformim njerëzor i të gjitha ngjarjeve dhe historive të ndodhura që dëshmojnë një kohë “shtypëse” mbi të drejtat dhe liritë e individit në thelbin e tyre në paqëndrueshmërinë dhe frikën e përhershme të realiteteve njerëzore ne sisteme totalitare.
Ardian Isufi është një artist vizual shqiptar, diplomuar në Akademinë e Arteve, Tiranë. Që nga viti 1996 jep mësim si pedagog dhe tashme si prof. asc. në atelienë e Grakës, në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve, Tiranë. Puna e tij është një reflektim mbi periudhën e diktaturës dhe marrëdhënies personale me atë kohë. Ai punon kryesisht në mediumin e instalacionit, artefakte dhe pikturë. Ndërkaq, artistja tjetër, Matilda Odobashi u paraqit me dy imazhe të titulluara “Juxtaposition” dhe me instalacionin “Equilibrium”.
Matilda Odobashi është artiste vizuale, shqiptare, diplomuar në Universitetin e Arteve në Tiranë, Shqipëri. Puna e saj është një reflektim mbi marrëdhëniet ndërpersonale dhe çështjet e bashkëjetesës mes njerëzve që jetojnë dhe ndajnë hapësira të përbashkëta. Ajo punon kryesisht në mediumet e vizatimit, instalimeve në hapësira të veçanta dhe pikturë. Ajo aktualisht jeton dhe punon në Tiranë, Shqipëri. Odobashi ka qenë pjesë e disa rezidencave dhe ekspozitave në Shqipëri dhe jashtë vendit, ndër të cilat përmendim Free Home University, Leçe, Itali; Salzburger Kunstverein, Austri; Balkan Express Caravan- Art in the Balkans, Fabrica de Pensule, Cluj-Napoca, Romania; Zeta Art Center, Tirana; FAB Gallery, Tirana; Onufri Award, National Gallery of Arts, Tirana, Albania; King Nicole Castel, Bar, Montenegro; Idromeno Aëard, National Gallery of Shkodra, Albania; Tirana Art Lab, Tirana; Ardhje Award, TICA, Tiana, Albania; Metropolitan Theatre, Tirana, Albania; Sztuki- Jatki Gallery, Poland.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
