Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se nga data 4 maj, do të fillojë lehtësimi gradual i masave të izolimit, të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Lehtësimi i masave, sipas tij, do të zhvillohet në 3 faza.
Faza e parë përfshin periudhën nga 4 maji deri më 18 maj dhe gjatë kësaj kohe do të hapen bizneset, si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personalë dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.

Faza e dytë fillon nga 18 maji deri më 2 qershor dhe gjatë saj do të fillojë operimi i bizneseve, si: tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban dhe qendrat e thirrjeve.

Faza e tretë, ndërkaq, hyn në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës dhe do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive.

Ministri në detyrë, Vitia, ka thënë se virusi nuk duhet të injorohet.
“Përkundër progresit, nuk e kemi zhdukur virusin. Nuk do të kemi situatë normale këtë vit dhe sa më parë që e kuptojmë këtë, do të jetë më e lehtë që ta kalojmë sa më shpejt. Nuk do të ketë ditëlindje me miq, fejesa e martesa e ndoshta as ceremoni mortore. Vit i distancës prej 2 metrash, i dorezave dhe maskave”, ka thënë Vitia para gazetarëve.

Masat do të lehtësohen, ka thënë Vitia varësisht prej rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sipas tij, nga 4 maji qytetarët do të mund të lëvizin më shumë, nga 1.5 orë – sa është koha e lejueshme aktualisht – në 3 orë në dy orare, paradite dhe pasdite.
“Arritëm që ta ulim përqindjen e të infektuarve. Falë kësaj, tash mund t’i zbusim këto masa. Do të kemi ditë të mira me më pak të infektuar, ashtu si do të kemi të vështira me më shumë të infektuar, por mbesim me shpresë që masat e reja do të na çojnë përpara e jo mbrapa”, ka thënë Vitia.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që e shkakton koronavirusi, më 15 prill Kosova ka vendosur masat e reja të kufizimeve të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, kur edhe do të hyjnë në fuqi masat e reja të prezantuara nga ministri në detyrë, Arben Vitia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb