Tre gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari, Ilir Toska dhe Asim Vokshi, kanë dalë me mendim pakice kundër vendimit për të pezulluar efektet e vendimeve gjyqësore që lidhen me pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në arsyetimin e tyre, gjyqtarët theksojnë se nuk ekzistojnë pasojat e rënda dhe të pariparueshme që do të justifikonin ndërhyrjen e Kushtetueses.

Tre gjyqtarët kanë kërkuar që vendimet e GJKKO për Ballukun të mos preken, duke theksuar se Qeveria funksionon edhe kur një anëtar i saj pezullohet nga detyra. Gjithashtu, gjyqtarët arsyetojnë se çështja ndaj saj ndodhet ende në shqyrtim gjyqësor, pasi është ankimuar nga Balluku.

MENDIM PAKICE

1.Në shqyrtimin e çështjes që i përket kërkesës së Kryeministrit të Shqipërisë, me objekt zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit e Këshillit të Ministrave dhe GJKKO-së së Shkallës së Parë; interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës; si dhe shfuqizimin e dy vendimeve gjyqësore për caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ne, gjyqtarët Marsida Xhaferllari, Ilir Toska dhe Asim Vokshi jemi kundër vendimit të shumicës për pezullimin e vendimeve gjyqësore, për arsyet e mëposhtme.

2.Kërkuesi ka parashtruar se masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit të detyrës prek interesa të lartë shtetërorë, shoqërorë, por edhe të vetë individëve. Sipas kërkuesit, masa duhet pezulluar për të mbrojtur sistemin e qeverisjes dhe për të ruajtur funksionalitetin e plotë të Këshillit të Ministrave, i cili ushtron çdo funksion shtetëror, që nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore.

Sipas tij, masa e pezullimit nga detyra sjell pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke krijuar vakum institucional, mosfunksionim të Këshillit të Ministrave dhe pamundësi për ushtrimin e përgjegjësive dhe të kompetencave që Kushtetuta e legjislacioni në fuqi i njeh ekskluzivisht pushtetit ekzekutiv.

Gjithashtu, ka argumentuar kërkuesi, është në interes shtetëror që kompetencat e Kryeministrit, të Presidentit dhe të Kuvendit të vazhdojnë të prodhojnë efektet juridike. Lënia në fuqi e vendimit gjyqësor do të thellonte konfliktin e kompetencave ndërmjet pushtetit gjyqësor, në njërën anë, dhe pushteteve legjislative dhe ekzekutive, në anën tjetër, duke cenuar më tej parimin e ndarjes e të balancimit të pushteteve.

Pezullimi i një ministri ose zëvendëskryeministri njëkohësisht pezullon veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv në fushën e përgjegjësisë së ministrit dhe të zëvendëskryeministrit të pezulluar. Ai krijon vakum institucional në realizimin e pushtetit ekzekutiv, por edhe të vetë pushtetit legjislativ, pasi pamundëson propozimin e projektakteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian.

Po kështu, ka argumentuar kërkuesi, vendimi prek edhe interesat individualë të qytetarëve, të cilët preken në mënyrë të drejtpërdrejtë nga pezullimi i funksionimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe të vetë Këshillit të Ministrave.

3.Sipas nenit 45, pika 1, të ligjit organik të Gjykatës, kjo e fundit kryesisht ose me kërkesë të palëve, kur vlerëson se zbatimi i ligjit ose i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërorë, shoqërorë ose të individëve, sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve ose në seancë plenare urdhëron pezullimin e tij.

Ky rregullim ligjor është elaboruar nga Gjykata, e cila në jurisprudencën e saj ka pohuar se në kushtet kur pezullimi është një masë e jashtëzakonshme, vendosja e tij lidhet me vlerësimin e pasojave ose efekteve të zbatimit të aktit.

Këto pasoja jo vetëm duhet të jenë reale, pra në realizim e sipër, por edhe të rënda, në atë masë që shkojnë tej masës normale të kufizimit, në veçanti në pikëpamje të urgjencës (shih vendimin nr. 1, datë 25.01.2024 të Gjykatës Kushtetuese).

4.Për sa më lart, përkundër vlerësimit të shumicës për pezullimin e vendimeve gjyqësore, ne, gjyqtarët në pakicë, çmojmë se nuk plotësohen kushtet e nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës, pasi nuk verifikohet prania e pasojave të pariparueshme në masë të rëndë, pra në atë masë që të shkojë përtej masës normale të kufizimit, në veçanti në pikëpamje të urgjencës.

Në këtë kuptim, argumenti i kërkuesit se Këshilli i Ministrave del jashtë funksionit për shkak të pezullimit nga detyra të një prej anëtarëve të tij nuk është bindës për sa kohë bëhet fjalë për organ kolegjial, i cili i merr vendimet në mënyrë kolegjiale, me shumicën e votave. Po kështu, jemi të mendimit se kërkuesi nuk tregon që nuk ka mjete të tjera në dispozicion më pak të dëmshme për të adresuar situatën e krijuar.

5. Në këtë pikë, vëmë në dukje se në asnjë rast më parë, Gjykata nuk ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore jo vetëm kur janë ende në ankim e sipër nga palët sipas mjeteve të zakonshme të ankimit në dispozicion të tyre, por edhe kur ato janë bërë përfundimtare për efekt të kontrollit kushtetues, pra kur kanë ezauruar rrugën e rregullt të ankimit gjyqësor në gjykatat më të larta.

Megjithatë, rasti konkret është edhe më delikat, pasi bëhet fjalë për vendime gjyqësore të cilat janë ende në proces kontrolli nga sistemi i gjykatave të zakonshme, aktualisht në gjykatën e posaçme të shkallës së dytë. Në këtë pikëpamje, vendimet gjyqësore duhet të ndjekin rrugën ligjore procedurale të ankimit në gjykatat e zakonshme dhe ndërhyrja nga Gjykata me vendim për pezullimin e efekteve të tyre në vetvete dëmton miradministrimin e drejtësisë.

Me fjalë të tjera, vendimi i shumicës prima facie ndërhyn në veprimtarinë e gjykatave, duke krijuar një situatë që nuk pajtohet me nenin 145, pika 3, të Kushtetutës që mbron në nivel kushtetues integritetin e veprimtarisë së gjykatave nga çdo ndërhyrje gjatë kohës që çështja është në juridiksion gjyqësor, me pasojë sanksionimin sipas ligjit. Gjykata ka theksuar se nën frymën e dispozitave të Kushtetutës për pavarësinë e gjyqësorit dhe ndarjen e pushteteve, elementet e pavarësisë, të cilat në thelb prekin vetë funksionin e dhënies së drejtësisë nuk duhet të cenohen (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese).

Pavarësia nënkupton jo vetëm një qëndrim të caktuar ndaj ushtrimit të funksionit gjyqësor, por një pozitë ose marrëdhënie në raport me të tjerët që bazohet në ekzistencën e kushteve dhe garancive objektive

shih vendimin 14, datë 22.05.2006 të Gjykatës Kushtetuese).

Nën këtë optikë, ne, gjyqtarët në pakicë, çmojmë se në kontekstin e fakteve të paraqitura nga kërkuesi, pezullimi i vendimeve gjyqësore të shkallës së parë, që presin të shqyrtohen në apel shkakton pasoja të tilla, që jo vetëm nuk zgjidhin ndonjë mosmarrëveshje kushtetuese, por dëmtojnë ekuilibrin e drejtë kushtetues që duhet të ekzistojë midis interesave që janë të pranishëm në çështjen konkrete (nga njëra anë miradministrimi dhe pavarësia e pushtetit gjyqësor, ndërsa nga ana tjetër ushtrimi i rregullt i kompetencave nga organet kushtetuese, Kryeministri, Këshilli i Ministrave, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme).

Për rrjedhojë, jemi të mendimit se Mbledhja e Gjyqtarëve duhet të kishte vendosur rrëzimin e kërkesës për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, objekt kundërshtimi. Përveç sa më sipër, ne, gjyqtarët Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi, çmojmë se vendimet gjyqësore nuk duhet të ishin pezulluar edhe për faktin se jemi kundër kalimit të çështjes për shqyrtim në seancë plenare, me argumentin se nuk plotësohen kriteret paraprake të pranueshmërisë.

Gjyqtarët që votuan kundër

ANËTAR

Asim Vokshi

ANËTAR

Ilir Toska

ANËTAR

Marsida Xhaferllari

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb