Egnatia vjen në prag të sfidës së fundjavës së ardhshme ndaj Bylisit me jo pak probleme, në një moment delikat të sezonit ku çdo mungesë peshon dyfish.
Rrogozhinasit përballen jo vetëm me presionin e rezultatit, por edhe me një situatë të brendshme të komplikuar që prek si pankinën, ashtu edhe formacionin. Ashtu si në përballjen ndaj Elbasanit, edhe këtë fundjavë Egnatia pritet të jetë sërish pa praninë e stafit teknik në pankinë. Një situatë e pazakontë, që ndikon drejtpërdrejt në menaxhimin e ndeshjes, sidomos në momente kyçe ku vendimet taktike bëjnë diferencën. Megjithatë, kjo tashmë duket si një problem “i zakonshëm” krahasuar me atë që po ndodh me repartin e lojtarëve.
MESFUSHA NË EMERGJENCË – Goditja më e madhe vjen nga mungesat për shkak kartonësh, që praktikisht e lënë ekipin të cunguar në një nga repartet më të rëndësishme. Kapiteni Albano Aleksi do të mungojë sërish, duke vuajtur një pezullim të gjatë prej pesë ndeshjesh. Një mungesë që rëndon jo vetëm në aspektin teknik, por edhe në lidershipin brenda skuadrës. Atij i shtohet edhe Altin Kryeziu, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe detyrohet të qëndrojë jashtë. Ndërkohë, Flamur Ruçi është i pezulluar pas kartonit të kuq, duke e komplikuar edhe më shumë situatën. Me këto mungesa, Egnatia praktikisht mbetet pa boshtin e mesfushës, duke detyruar trajnerin të improvizojë. Spostimet dhe “arnimet” duken të pashmangshme, ndërsa alternativa të reja do të duhet të provohen në një ndeshje ku gabimet nuk falen. Në këto kushte, tekniku Edlir Tetova pritet të bëjë zgjedhje të detyruara, duke riorganizuar repartet dhe duke i besuar lojtarëve që zakonisht nuk kanë pasur shumë minuta. Kjo situatë mund të sjellë edhe surpriza, por mbetet për t’u parë nëse ekipi do të arrijë të ruajë ekuilibrin në fushë.
RIKTHIMI – Në mes të gjithë këtyre problemeve, lajmi pozitiv vjen nga mbrojtja. Arbenit Xhemajli rikthehet në dispozicion pasi ka shlyer pezullimin e tij. Mungesa e tij u ndje në sfidën e fundit dhe prezenca në këtë takim pritet të sjellë më shumë siguri në repartin difensiv. Përballë Bylisit, Egnatia nuk do të ketë luksin e zgjedhjeve të plota, por do të duhet të mbështetet te forca e grupit dhe organizimi. Në një situatë të tillë, ndeshja merr një dimension tjetër: më shumë se sa një duel i zakonshëm, është një test karakteri për rrogozhinasit
