TIRANË– Katër shqiptarë janë kandidatë për çmimin e sportistit më të mirë të Ballkanit. Bëhet fjalë për futbollistin e Kombëtares shqiptare të futbollit, Taulant Xhaka si dhe tre peshëngritësit, Daniel Godelli, Romela Begaj dhe Erkand Qerimaj, të cilët janë nominuar në dhjetëshen e sportistëve më të mirë të Ballkanit për vitin 2014, të organizuar nga Agjencia bullgare e lajmeve.

Peshëngritësi Daniel Godelli gjatë vitit 2014 arriti të jetë kampion botëror në peshën 77 kg, si dhe ka fituar medaljen e argjendtë në kampionatin europian në peshën 77 kg.

Peshëngritësja Romela Begaj ka arritur gjatë këtij viti të shpallet kampione bote në stilin e shkëputjes në peshën 63 kg. Ndërsa peshëngritësi shkodran Erkand Qerimaj është shpallur kampion Evrope në peshën 77 kg.

Futbollisti Taulant Xhaka është në këtë listë pasi është shpallur kampion i Zvicrës me skuadrën e Basel, si dhe ka luajtur si titullar për ekipin kombëtar shqiptar në disa ndeshje, por sidomos në fitoren 1-0 kundër Portugalisë në kualifikimin për kampionatin evropian.

Në këtë listë konkurrojnë disa sportistë cilësor, si futbollistët boshnjakë Edin Dzeko e Miralem Pjaniç; futbollistët kroatë, Luka Modric e Ivan Rakitic; futbollisti maqedonas Goran Pandev dhe lojtari malazez i Manchester City, Stevan Jovetiç.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb