Një zjarr që shpërtheu në një platformë eksplorimi për depozita gazi dhe nafte, në një distancë të shkurtër nga bregu i Angolës, ka vrarë tre punëtorë, njoftuan autoritetet të martën.
Katastrofa ndodhi më 20 maj në këtë platformë eksplorimi në ujëra të thella, e cila i përket konsorciumit të shfrytëzimit të fushës së gazit CABGOC, një degë e gjigantit amerikan të naftës Chevron.
Nga zjarri u plagosën 27 persona. Dy prej tyre ndërruan jetë nga plagët e marra në Afrikën e Jugut, ku u dërguan me urgjencë për të marrë kujdes të specializuar mjekësor nga specialistë të djegieve, shpjegoi agjencia kombëtare e naftës dhe gazit në Luanda.
Trupi i një punëtori të tretë u gjet pranë platformës, e cila ndodhet rreth 96 kilometra larg bregdetit, shtoi i njëjti burim.
Një hetim është duke u zhvilluar për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë.
Angola renditet e dyta në Afrikë për sa i përket eksporteve të naftës së papërpunuar. Ari i zi përbën më shumë se 90% të eksporteve të vendit portugalishtfolës me 37 milionë banorë, sipas të dhënave të Bankës Botërore.
(A.A/BalkanWeb)
