Të paktën dy anëtarë të forcave të sigurisë së brendshme dhe një civil u vranë të hënën në mbrëmje në granatimet që u atribuohen forcave kurde në Alepo, në veri të Sirisë, mes përshkallëzimit të vazhdueshëm të tensioneve midis qeverisë de facto në Damask dhe administratës autonome kurde në rajon, tha televizioni shtetëror.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë joqeveritare, raportoi se forcat qeveritare përdorën dronë për të hedhur eksplozivë në lagjet me shumicë kurde të Sheikh Mahsud dhe Ashrafia.
Pas përmbysjes së Bashar al-Assad, pothuajse një vit më parë, në dhjetor 2024, Aleppo sundohet nga autoritete të reja, të udhëhequra nga islamistë radikalë.
Megjithatë, Sheikh Mahsud dhe Ashrafia kontrollohen ende nga njësitë lokale kurde, të lidhura me Forcat Demokratike Siriane (SDF), megjithëse ato u tërhoqën zyrtarisht në prill, si pjesë e një marrëveshjeje shkëputjeje midis kurdëve dhe Damaskut.
Sipas rrjetit televiziv al-Akhbariya, i cili citoi një burim në forcat e sigurisë, “një anëtar i forcave të sigurisë së brendshme u vra dhe tre të tjerë u plagosën në një sulm të SDF-së ndaj posteve të sigurisë rreth lagjes Sheikh Mahsud në Aleppo”. I njëjti burim raportoi gjithashtu një civil të vrarë në granatimet kurde. Al-Ahbariya raportoi se “dhjetëra familje” kishin ikur nga Ashrafiya dhe Sheikh Mahsud për shkak të “bombardimeve të zonës nga SDF me mitralozë të rëndë dhe mortaja”. Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, komunikimet janë ndërprerë në këto zona, të cilat tani janë rrethuar nga përforcime të ushtrisë siriane.
