Të paktën tre persona kanë humbur jetën nga reshjet e rrëmbyeshme dhe përmbytjet që kanë përfshirë lindjen e Spanjës, ndërsa ekipet e shpëtimit po vijojnë operacionet për nxjerrjen e banorëve të bllokuar.
Situata mbetet alarmante, me mbi 80 mijë banorë që kanë marrë urdhër për të qëndruar në banesa, ndërsa helikopterët janë angazhuar për të shpëtuar njerëzit, që kanë mbetur të bllokuar në çatitë e shtëpive.
Stuhia Adam ka shkaktuar reshje intensive përgjatë bregdetit mesdhetar, duke izoluar disa qytete. Dalja e lumenjve nga shtrati dhe vërshimi i ujërave nëpër rrugë kanë krijuar situata të rrezikshme, ndërsa pamjet nga zonat e prekura kujtojnë përmbytjet katastrofike të vitit 2024 në rajonin e Valencias, ku humbën jetën më shumë se 230 persona.
Trupi i pajetë i një gruaje u gjet të hënën në qytetin Oliva nga pjesëtarët e Njësisë Ushtarake të Emergjencave, gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, duke e çuar në tre numrin e viktimave nga moti i keq, raportoi transmetuesi rajonal A Punt, duke iu referuar burimeve nga kjo njësi.
Dy gra të tjera u konfirmuan të vdekura gjatë fundjavës. Njëra u gjet në një plazh në Sagunto, në rajonin lindor të Valencias, ndërsa tjetra humbi jetën pasi u mor nga rrjedha e ujërave të përmbytjes në Cabrera de Mar, pranë Barcelonës.
