Që nga viti 2022 një VKM pritet të miratohet për të koordinuar punën e institucioneve për lejimin e gërmimeve dhe gjetjen e të zhdukurve në diktaturë që u ekzekutuan e fshehën nga shteti shqiptar. Në ditën që i përkujton mesazhet e qarta as pyetjet nuk munguan.

Në përkujtim të ditës ndërkombëtare të të zhdukurve Autoriteti I Dosjeve dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” mbajtën simpoziumin, “Kufiri i shpresës dhe i vdekjes 1944-1991. Shkodra përballë të kaluarës”. Ndërsa në 3 dekada nuk u bë drejtësi për viktimat e diktaturës, kryetarja e kuvendit, Elisa Spiropali, tha nuk ka të ardhme pa reflektim.  Spiropali shtoi se nuk është kurrë vonë për të bërë drejtësi, ndërsa e pranoi se Shqipëria nuk mund të ketë një të ardhme europiane pa reflektuar me ndershmëri mbi të shkuarën e saj.

I qartë në mesazhin e tij mbi detyrimet e Shqipërisë përkundrejt të drejtave të njeriut, ishte ambasadori I BE-së, Silvio Gonzato, i cili theksoi se përballja me të shkuarën kërkon vullnet politik, kërkon ligje, kërkon burime dhe bashkëpunim aktiv nga të gjitha institucionet.

Shkodra2
Shkodra2

“Përballja me dhunën e regjimit është një fakt që lidhet drejtpërdrejt me dinjitetin e viktimave dhe me të drejtën e tyre për të marrë drejtësi. Sa herë kam qenë në Spaç, jam përballur me histori që ende nuk kanë marrë drejtësi dhe të dënuar që ende nuk kanë marrë kompensimin. Ata nuk duhet të vdesin pa gjetur drejtësi”, tha ai.

Qindra shqiptarë që vdiqën në burgje, në hetuesi ose u pushkatuan janë ende të zhdukur sepse trupat  e tyre nuk iu dorëzuan kurrë familje. Në varre të përbashkëta, të hedhur në gropa me qëllimin për ti fshehur, shqiptarët që u ekzekutuan për arsye politike, janë ende sot pa varr. Prej vitesh një VKM pritet të miratohet për të koordinuar punën  e institucioneve në lejimin e gërmimeve e gjetjen e tyre, por përtej konferencave e simpoziumeve  asgjë nuk ka mundur të ndodhë, gjë që për deputeten demokrate Emilia Koliqi, tregon mungesë vullneti politik.  Ndërsa mori fjalën, ajo renditi takimet e bëra në tre vjet, për koordinimin me prokurorinë e policinë e  dhe detyrimet që ka Shqipëria pas marrëveshjeve të firmosura që nuk kanë arritur të sjellin gërmime e kërkime në terren për eshtrat e të zhdukurve.

Tri dekada pas rënies së regjimit kufijtë që u tejkaluan nga guximtarët mbeten ende varri i tyre i pagjetur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb