Në trevjetorin e sulmit të 7 tetorit 2023, Hamasi ka publikuar një deklaratë në të cilën e cilëson atë që e quan “Operacioni Përmbytja e Al-Aksës” si një “ditë të lavdishme” në historinë e popullit palestinez. Në deklaratë, lëvizja shprehet se është “krenare dhe e nderuar” nga ajo që e përshkruan si vendosmërinë dhe sakrificat e palestinezëve, ndërsa lavdëron luftëtarët e Brigadave Al-Qassam. Hamasi pretendon se ata “kanë shkatërruar mitin e një ushtrie të pamposhtur”, duke e paraqitur sulmin dhe përballjen me Izraelin si pjesë të një konflikti më të gjatë.
“Rezistenca”, thuhet në deklaratë, “është një e drejtë legjitime derisa pushtimi të mposhtet dhe toka dhe vendet tona të shenjta të çlirohen”.
Hamasi kundërshton gjithashtu narrativën se konflikti nisi më 7 tetor 2023. Sipas tij, pretendimet se luftimet filluan atë ditë janë “një shtrembërim i hapur i realitetit”, duke argumentuar se përplasja me Izraelin ka nisur shumë më herët. Në deklaratën e saj, organizata akuzon Izraelin për zhvillimin e një “lufte gjenocidale” dhe pretendon se gjatë tre viteve të fundit janë vrarë më shumë se 74 mijë palestinezë dhe janë plagosur 175 mijë të tjerë.
Hamasi pretendon gjithashtu se lufta ka sjellë një rënie të mbështetjes ndërkombëtare për Izraelin dhe se vendi është përballur me një izolim në rritje, duke iu referuar edhe largimit të disa delegacioneve gjatë një seance të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Lëvizja përsërit ndërkohë angazhimin e saj për të respektuar detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e armëpushimit, ndërsa akuzon administratën amerikane dhe ndërmjetësit se duhet të mbajnë përgjegjësi për zbatimin e detyrimeve nga pala izraelite.
Në fund të deklaratës, Hamasi nderon figurat e tij të vrara, Ismail Haniyeh, Saleh al-Arouri, Yahya al-Sinwar dhe Mohammed al-Deif, duke i cilësuar si “udhëheqës martirë”. Deklarata mbyllet me mesazhin: “Gjaku i tyre do të mbetet një dritë udhërrëfyese në rrugën drejt çlirimit”, si dhe me sloganin e përdorur nga organizata: “Dhe është vërtet një xhihad: fitore ose martirizim”.
