NGA: DASHNOR KALOÇI
Ashtu si dhe te dokumenti paraardhës, edhe ky bën fjalë për mbledhjet dhe analizat që janë mbajtur në fillimin e pranverës së vitit 1973, në kuadrin e “frymës së fjalimit të shokut Enver Hoxha, mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe Plenumin e IV-të, mbi ndikimet dhe shfaqjet e huaja në letërsi, art-kulturë etj…”. Por ndryshe nga mbledhja e zhvilluar më datat 15 e 16 mars (dokumenti paraardhës), që organizohej vetëm nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, mbledhja në fjalë e mbajtur një muaj më pas (16 . IV. 1973) bëhej në bashkëpunim edhe me Komitetin e Kulturës, i cili varej nga Ministria e Arsimit dhe kryesohej nga Mantho Bala, njëkohësisht zëvendës ministër i Arsim-Kulturës. Dhe jo vetëm kaq, por ndërsa në mbledhjen e 15 e 16 marsit është marrë në analizë vetëm poezia e ndikimet e huaja ndaj saj, në mbledhjen për të cilën bën fjalë ky dokument, ka pasur një shtrirje tepër më të gjerë të problemeve, madje duke diskutuar jo vetëm përmbajtjen e librave, por deri te kopertina e tyre. E thënë më qartë, ajo mbledhje ka diskutuar me detaje gjithçka ishte shkruar deri në atë periudhë kohe dhe ishte si të thuash preludi i një “karantine” ku po e vendoste udhëheqja e lartë e PPSH-së artin, kulturën dhe letrat shqipe…?!
Kjo gjë duket qartë edhe nga ajo çka është shkruar në fletën e parë të dosjes ku ndodhet ky dokument, pasi në fund të tij nuk ka as emër autori, as shënimi që vihej në raste të tilla, si p.sh “Sektori i Edukimit”…?! Dhe kjo gjë tregon se përgjegjësinë për atë relacion, nuk ka mundur ta marrë dot një person i vetëm, dhe as grupi i instruktorëve pranë sektorit të edukimit në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së. Nga sa shkruhet aty, “sëpata” ka rënë pothuaj mbi pjesën më të madhe të shkrimtarëve dhe artistëve, madje duke mos kursyer as Dritëro Agollin, Kryetarin e Lidhjes…?! Një ndër ata që kritikohen ashpër në atë relacion, është dhe shkrimtari Ismail Kadare, i cili ka bërë recensën e një libri të Sabri Godos, konkretisht “Zëra nga burime të nxehta”, (me temë nga Lufta Nac-Çlirimtare), ku “rrufetë” më të shumta kanë rënë mbi tregimin “Fushata”, dhe zhurma e “bubullimave” të tyre, do të dëgjohej për shumë kohë më pas…?! Godo, ish-partizan i vjetër, në librin e tij ka përshkuar me vërtetësi ngjarjet nga lufta, ku komandantët e komisarët jo vetëm luftonin, por ata edhe bënin dashuri, shtroheshin për dreka e darka, tërhiqeshin nga beteja kur i sulmonte armiku, ishin të pashkolluar, nuk dinin të diskutonin nëpër mbledhje, flisnin budallallëqe, etj. etj. Por kjo gjë konsiderohej “deheroizim” që binte ndesh kryekëput me letërsinë e realizmit socialist, gjë për të cilën, përgjegjësia binte jo vetëm mbi autorin, por me radhë: te redaktori, recensenti, sektori i prozës në Lidhjen e Shkrimtarëve, e deri te Shtëpia Botuese “Naim Frashëri, e cila kishte lejuar botimin e atij libri…?! Në këtë kuadër, për librin në fjalë, janë bërë mbledhje të shumta me diskutime e analiza ku janë kritikuar e sulmuar ashpër jo vetëm autori Sabri Godo, por edhe shkrimtari Ismail Kadare, që kishte bërë recensën e librit. Po kështu në këtë dokument, është pasqyruar edhe kritika e sulmet që i janë bërë Kadaresë, nga profesori Rexhep Qosja, kritika me të cilat autorët e relacionit duket se nuk janë pajtuar. Por këto që parashtruam pak më lart, janë “maja e ajsbergut”, e këtij relacioni, të cilin ashtu si dhe dokumentet e tjerë po e botojmë të plotë dhe pa asnjë ndryshim.
Përmbajtja: RELACIONE TË KOMITETIT TË KULTURËS DHE TË ARTEVE DHE TË LIDHJES SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE TË SHQIPËRISË DREJTUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH:
-MBI SHFAQJET E NDIKIMEVE TË IDEOLOGJISË SË HUAJ BORGJEZE E REVIZIONISTE NË FUSHËN E BOTIMEVE
Para disa kohësh sektori i librit në Komitetin e Kulturës dhe arteve organizoi mbledhjen e komisionit për të diskutuar mbi shfaqjet e ndikimeve të huaja në fushën e botimeve. Veç kësaj janë organizuar biseda me shefat e redaksive dhe redaktorë të Shtëpisë Botuese “N. Frashëri”, u ndoqën diskutimi për poezinë që organizoi Lidhja e Shkrimtarëve, mbledhja e kolektivit të Shtëpisë botuese të librit politik etj. Në analizat e bëra, para së gjithash, u theksua se letërsia dhe artet tona në përgjithësi dhe botimet në veçanti, janë në pozita të shëndosha ideoestetike. Ato na kanë dhënë vepra të denja që militojnë për çështjen e madhe të partisë e të popullit. Ndikimet e huaja dhe shfaqjet e tyre në letërsinë tonë nuk përbëjnë tendencën e zhvillimit të saj. Nga studimet e bëra deri tani del se numri i veprave të botuara më shfaqje të tilla në Shtëpinë Botuese “N. Frashëri” është i vogël, gjë që tregon se redaksitë kanë luftuar mirë për t’iu shmangur këtyre gabimeve.
Megjithatë, fakti që të tilla ka pasur, tregon se edhe këtu nisi të dobësohej vigjilenca. Kështu p.sh. redaksia e prozës ka botuar librin e Sabri Godos “Zëra nga burime të nxehta”, ku ndodhet edhe tregimi i gjatë “Fushata”, tek i cili duken hapur shfaqjet e deheroizmit në pasqyrimin e ngjarjeve të Luftës nacionalçlirimtare. Qysh në fillim të tregimit partizanët e njërit nga divizionet tona, që e vazhduan luftën në tokat e Jugosllavisë, janë paraqitur sikur zvarriten pa një pikësynim të caktuar. Gjermanët u dalin disa herë papritur e pa kujtuar. Partizanët thyhen, tërhiqen dhe mezi hidhen në sulm, jetojnë e luftojnë të çorganizuar. Autori na përshkruan një mbledhje qesharake të aktivit të partisë, ku fliten budallallëqe për evolucionin fizik të gruas. Komandanti i divizionit na jepet një njeri i dhjamosur që shtron gostira e dehet dhe mban fjalime qesharake, zëvendëskomisari dhe skuadërkomandanti merren me dashuri, figura e infermieres përshkruhet nga pozita krejt mikroborgjeze, zv.komandanti i kompanisë është menefregist dhe me mendime të paqarta etj. Kuptohet se tek këto personazhe nuk kemi as figura partizanësh e jo më komunistësh.
Vepra është recensionuar nga Ismail Kadare, i cili në përgjithësi e çmon atë si një vepër të rrallë për nga vlerat ideo- artistike. Midis të tjerash në recensionin e tij ai shkruante: “Libri me tregime nga lufta i Sabri Godos, është një vepër e rëndësishme jo vetëm për autorin e “Ali Pashë Tepelenës”, por për gjithë letërsinë tonë të realizmit socialist. Ky libër me 150 faqe shënon një kualitet të ri, të paparë ndonjë herë te ne, në trajtimin në mënyrë epike, madhështore dhe me një dinjitet të lartë artistik temën e madhe të Luftës nacionalçlirimtare…Kjo është një letërsi e vërtetë, një art autokton, kronikë besnike e realitetit, e pa zbutur, e pa degraduar dhe e pa deformuar nga rutina, skematizmi, pseudoportunizmi, pompoziteti, lustra dhe fjalët boshe. Nga kjo pikëpamje ky libër është një revelacion i vërtetë”. Redaktori Dilaver Dilaveri, ndonëse me stazh e përvojë, bile edhe kritik letrar, ra nën ndikimin e recensionit dhe të “emrit” të autorit dhe nuk u thellua në analizën e vlerave ideo-artistike të librit. Theksojmë se mbi Sabri Godon si shkrimtar janë bërë vlerësime të nxituara, bile edhe nxjerrja e tij në profesion të lirë na duket si shumë e shpejtuar. Këto vlerësime kanë ndikuar negativisht edhe tek vetë ai, gjë që duket në qëndrimet e mbajtura edhe ndaj atyre vërejtjeve të pjesshme që i bëri redaksia të cilat nuk i mori parasysh.
Për gabimet e këtij libri ka përgjegjësi edhe shefja e redaksisë së prozës Dh. Xoxe. Vlerësimi i veprave, duke u nisur nga emri i autorit apo i recensave është e dënuar prej kohësh në shtëpinë botuese, por fakti që raste të tilla po vazhdojnë të përsëriten, tregon se akoma nuk janë nxjerrë konkluzionet e nevojshme, për çka mban përgjegjësi drejtoria dhe shefat e redaksive. Redaksia e prozës ka kthyer për ripunim ose si të pabotueshme disa vepra që kanë shfaqje të gabuara. Tek romani i Dh. Xhuvanit “E diela nuk është larg” kishte shfaqje të nxirjes së realitetit (vepra trajton ngjarjet e Tepelenës për të cilat ka folur shoku Enver). Figura e heroinës shtrembërohej duke na dhënë një vajzë me moral jo të fortë. Në romanin e Sotir Andonit “Shënime të shkruara natën” ka pasur më shumë nota disfatizmi se sa heroizmi. Nxihej realiteti i luftës, paraqitej një komisar që më shumë i jepte rëndësi dashurisë se sa detyrës. Në veprën e Spiro Gjikondit “Vdekja e psalltit” ndjehej një farë mëshire për armikun. Kiço Blushi në romanin “Hapësirë në dashuri” kishte shfaqje të mohimit të punës së arsimtarëve të vjetër, pra mohim i traditës.
Siç doli edhe në diskutimet që organizoi Lidhja e shkrimtarëve për poezinë, ndikimet e ideologjisë së huaj janë shfaqur më shumë në lëmin e krijimtarisë poetike. E vërteta është se edhe gjatë këtij diskutimi kritikat për vëllimet e botuara nga shtëpia botuese qenë shumë të kufizuara. Konkretisht nga rreth 30 diskutantë, vetëm 4 zunë në gojë gjëra të vogla të librave. Dalan Shapllo kritikoi për disa figura të paqarta vëllimin e V. Qurkut “Stinë pas stine”, ndonëse nënvizoi përmbajtjen e shëndoshë të veprës në përgjithësi. Gjergj Zhei tha po për këtë vëllim se ka disa shfaqje sentimentale. Vëllimi i S. Matos u kritikua për disa ide të paqarta. Në vëllimin e Sadik Bejkos u tha se mund të mos futeshin dy- tri poezi të paqarta. Kritika të rrepta nga shumica e diskutantëve pati për organet e shtypit letrar dhe për “Zërin e Rinisë”. Megjithatë shfaqje të ndikimeve të huaja ka edhe në botimet e Shtëpisë Botuese “N. Frashëri”. Mjaft flagrant na duket vëllimi i Fatos Arapit “Më jepni një emër”, për të cilin mban përgjegjësi shtëpia botuese. Kjo vepër është pezulluar nga qarkullimi. Shumica e vjershave të këtij vëllimi janë hermetike, mbyllen brenda në vetvete; përgjithësimi filozofik kthehet në mani dhe përdoret vend e pa vend, duke krijuar shkëputje e copëzim të poezisë. Kur e lexon këtë vëllim menjëherë të lind pyetja për kë është shkruar. Duhet t’i kthehesh disa herë një vjershe për të kuptuar se çka dashur të thotë autori. Rrethi tematik i veprës është i ngushtë, mbizotëron tema erotike.
Në fillim redaksia i ka vënë re shumë mirë këto të meta, ndonëse recensioni i bërë nga shoku Dritëro Agolli e ngre lart veprën. Në ketë recension ai shkruan midis të tjerash: “Libri i ri i Fatos Arapit dëshmon për kulmin e krijimtarisë së tij…Në to nuk ka qetësi e ndrojtje, nuk ka as vjetërsi. Libri është thellësisht kontemporan, shkruar siç shkruhet sot poezia…Libri me siguri do të pasurojë jo vetëm krijimtarinë e poetit, por edhe gjendjen e poezisë sonë kontemporane…” Redaksia i bëri vëllimit edhe një recension të dytë me anë të Muzafer Xhaxhiut, i cili, në kundërshtim me të parin, e ka parë më objektivisht dhe ka bërë vërejtje serioze. Kështu në fazën e parë redaksia veproi drejt dhe e ktheu vëllimin për t’u ripunuar nga autori, i cili nuk i realizoi të gjitha vërejtjet. Por sidoqoftë botimi i kësaj vepre tregon se ajo, e veçanërisht shoku Dh. Fullani që rezistoi më shumë, nuk qe në gjendje ta çonte punën deri në fund.
Duke e parë nën dritën e fjalimeve të shokut Enver, ne mendojmë se vepra ka akoma më shumë gabime se sa përmenden edhe në përgjigjen e redaksisë që zumë në gojë më lart. Në këtë redaksi kanë ardhur edhe vepra të tjera me shfaqje të gabuara, të cilat u janë kthyer autorëve për ripunim, ose sit ë pabotueshme. Kështu p.sh. me tendenca të plota hermetizmi ka qenë vëllimi i Frederik Reshpes “Në këtë qytet”, të cilin, pasi iu kthye, autori e solli të ripërtërirë. Disa autorë filluan të sjellin poezi me shqetësime të ngushta individuale, me episode poetike nga jeta e ngushtë intime, disa herë me humor të prishur e neutral larg realitetit tonë. Vëllime të tilla u janë kthyer dy- tri herë autorëve për t’i plotësuar me tematikë të shëndoshë. Disa vëllime janë kthyer, sepse kanë pasur vjersha me tendenca formaliste, ku ndjehet mania e formës, luhatjet stilistike nga poezia e huaj, një figuracion i errët etj. Shembuj të tillë mund të përmendim: Sh. Karadaku “Ylberi”, V. Leka “Pas shtrëngatës”, sa të gjitha këto nuk përbëjnë tendencë, por janë shfaqje që po t’u lihej rrugë e hapur, padyshim do të vinin duke u shtuar. Shqetësime serioze paraqesin botimet e letërsisë së Kosovës, sidomos veprat poetike, sepse poezia e tyre përgjithësisht vuan nga hermetizmi, nga paqartësia të theksuara, ndikimet e gjithfarëllojshme formaliste që pengojnë përcaktimin realist të jetës etj. Sado që kriteret e veprave të botuara deri tani kanë qenë në përgjithësi të drejta, përsëri spastrimi i tyre nga formalizmat len për të dëshiruar. Për këtë dëshmojnë edhe 6 vëllimet e fundit të autorëve kosovarë që janë botuar, por nuk janë vënë në qarkullim dhe po rishikohen nga redaksia, duke marrë parasysh edhe vërejtje të bëra nga një grup pune i posaçëm që u ngrit për këtë qëllim.
Deri tani për letërsinë kosovare kritika jonë nuk ka shkruar fare. Ne mendojmë se nuk është e drejtë. Kritikët kosovarë herë kanë shkruar për autorët tanë, bile ndonjëri prej tyre si Rexhep Qosja, në një artikull të shkruar mbi vëllimin me kritika të Ismail Kadaresë. “Historia e popullit në vargje”, ka mbajtur qëndrim shumë të ulët dhe denigrues si ndaj autorit të vëllimit ashtu edhe ndaj letërsisë tonë në përgjithësi. Prandaj nuk është e arsyeshme që ne të heshtim. Natyrisht jo për kundërpërgjigje, por për të ndihmuar lexuesin tonë në vlerësimin e kësaj letërsie dhe për të ndihmuar autorët kosovarë, kritika jonë, duke u nisur nga qëllime të mira e kurdoherë dashamirëse, duhet ta thotë fjalën e saj.
Kuptohet se shfaqjet e ndikimeve të huaja prekin në radhë të parë përmbajtjen dhe jo vetëm formën, siç mendohet në ndonjë rast, prandaj duhen vlerësuar më seriozisht. Ne nga ana jonë po insistojmë që shokët e shtëpisë botuese të thellohen seriozisht. Redaksitë tani po studiojnë të gjithë veprat që kanë dërguar në shtyp, por që ende nuk kanë dalë. Krahas eliminimit të të metave dhe shfaqjeve të ndikimeve të huaja, mbi bazën e këtij studimi do të nxirren konkluzione mbi kriteret e botimeve. Nga diskutimet e bëra deri tani del se ndikimeve të huaja u dha shkas në radhë të parë, ngushtimi i tematikës. Kjo erdhi shkallë- shkallë. Në poezi u krijua koncepti se temat e mëdha predispozojnë agjitacionin. Pati një rendje të theksuar pas temës së dashurisë, e cila u konceptua mjaft ngushtë. Në poezi te disa u duk një zbukurim i realitetit. Në prozë disa nisën të merren me ato ndarjet e lehta burrë- grua, me ndonjë shfaqje imoraliteti, me dashurinë e shkëputur nga jeta jonë etj. Kuptohet se mikrotema të tilla të çonin drejt ngushtimit të temës së madhe socialiste me përmbajtje të shëndoshë ideore.
Si pasojë e ngushtimit të temës në poezi erdhi errësimi i përmbajtjes dhe vargu hermetik. Tendenca për të thelluar mendimin filozofik është pozitive, por në disa raste ky u bë qëllim në vetvete. Disa të rinj, të paformuar ideologjikisht, kristalizuan idenë e gabuar se të shprehesh në mënyrë të paqartë është novatore. Kësaj i erdhi në ndihmë edhe rendja pas figuracionit të errët. Kjo e ka burimin te një koncept i gabuar, sipas të cilit qartësia dhe thjeshtësia tani na qenkan vjetruar. Hermetizmi e ka burimin edhe te një far mendjemadhësie intelektuale që synon ta lodhë lexuesin në të kuptuarit e veprës. Shkaqet e këtyre shfaqjeve janë të ndryshme. Para së gjithash ato e kanë burimin tek përgatitja e pamjaftueshme ideoestetike për t’u kundërvënë të huajës. Me të drejtë bëhet vërejtja se krijuesit tanë më shumë shkruajnë se sa studiojnë. Mungon debati i gjallë mbi baza shkencore. Tentativa që duket si në prozë, ashtu edhe në poezi, për t’u thelluar në botën shpirtërore të njeriut tonë të ri është e drejtë, por kjo kërkon edhe përgatitje, sepse është e vështirë, prandaj në këtë drejtim lindin edhe shkarjet. Kësaj i duhet dhënë rëndësi e dorës së parë, sepse pikërisht në këtë fushë i ka drejtuar më shumë shigjetat edhe ideologjia e huaj. Edhe në studimin e përvojës së huaj ka më shumë proces njohjeje sesa thellim.
Kritika jonë letrare ka akoma dobësi të theksuara. Kritikët e njohur kanë shkruar shumë rrallë. Kjo edhe për faktin se organet e shtypit letrar nuk u kanë krijuar një atmosferë të ngrohtë, por përkundrazi me qëndrimet e tyre i kanë larguar. Në kritikë janë dukur teorizime të gabuara. Kështu p.sh. nëpërmjet “Dritës” është hedhë mendimi se poezia duhet të kapë vetëm anën poetike të realitetit. Poetëve të rinj kritika nuk u ka vënë në dukje të metat. Ka pasur teorizime që kanë nxitur qëndrime të padrejta midis autorëve të moshave e brezave të ndryshëm, qëndrime të padrejta ndaj letërsisë së dekadave të kaluara etj. Nga shitjet estetike e preferencat personale në mjaft raste u kalua në koncepte, tek disa u krijua bindja se kështu duhet shkruar. Kritika nuk ka trajtuar veprat tona më të mira për të evidencuar vlerat e tyre që shërbejnë si model për të tjerët. Preferencat në stile kanë çuar deri në kundërvënie, siç është rasti i qëndrimeve të mbajtura ndaj romanit- epope, i cili u quajt si anakronike.
Mos vlerësimi i kombëtares është një tjetër shkak shumë i rëndësishëm që ka krijuar boshllëqe për të depërtuar e huaja. Kështu ka pas vjersha që flasin për një dashuri universal, për një revolucion imagjinar etj. Pak është shfrytëzuar si folklori, ashtu edhe vlerat e letërsisë së kaluar. Është dukur një tendencë sikur mund të mësohet vetëm nga letërsia e viteve të 60- ta. Në mjaft raste shfaqjeve liberale u ka dhënë shkas edhe shkelja e normave procedurale , gjë që ka dobësuar kontrollin ndaj librit. Ndikime të huaja janë dukur edhe në kopertinat e librave. Në disa kopertina të kohëve të fundit ka pasur elemente të formalizmit. Shtëpia botuese ngriti një grup pune me piktorë për t’i riparë një për një kopertinat që janë në shtyp ose në procesin e përgatitjes dhe ka anuluar disa kopertina.
Edhe në letërsinë politiko- shoqërore kanë dalë vepra të gabuara që janë ndaluar nga qarkullimi si “Asim Vokshi”, “Në malet e Labërisë” e ndonjë tjetër. Dobësi të theksuara vihen re veçanërisht në redaksinë e botimeve politiko- shoqërore, gjë që vjen edhe nga niveli i ulët i kuadrit redaktor, nga mos organizimi i mirë i punës etj.
Në shfaqjen e ndikimeve të huaja ka influencuar negativisht edhe literature që marrim nga jashtë, sidomos ajo politiko- shoqërore e letrare artistike. Megjithëse kriteret e porosive në përgjithësi kanë qenë të drejta, duke kufizuar marrjen e saj nga individët, përsëri janë vërtetuar shkelje, sidomos në qytetin e Tiranës. Janë bërë porosi individuale edhe për libra me përmbajtje shumë të gabuara si nga Prusti, Sartri, Sagani, Kafka, Sollzhenicin, vepra të artit dekadent, poezi moderniste etj. ( Faik Ballanca, Abdurrahim Myftiu, Andon Kuqali, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu etj.) Shumë libra mbi modën e psikologjinë moderne janë porositur nga Todi Lubonja. Shumë porosi individuale për vepra letrare- artistike kanë bërë Fadil Paçrami, Dhimitër Shuteriqi, Ismail Kadare, Jakov Xoxa, etj.
Ne mendojmë që porositë individuale të kësaj literature të kufizohen shumë. Për qëllime studimi kjo lloj literature të porositet nëpërmjet bibliotekave në mënyrë që të jetë më e kontrolluar. Tolerime ka pas në abonimet e shtypit të huaj. Duke u gjendur nën presionin e vazhdueshëm të institucioneve dhe individëve ne kemi pranuar edhe porosi për revista që nuk duhet t’i merrnim sidomos porosi individuale. Tani po e studiojmë konkretisht këtë problem me një grup specialistësh dhe do të nxjerrim konkluzione si për organet e këtij viti ashtu edhe për të ndërtuar kritere më të shëndosha në porositë e vitit 1974. Edhe në bibliotekat kohët e fundit qe dukur një frymë liberale në dhënien e literaturës së huaj. Për këtë arsye këto ditë nga ana e Ministrisë u lëshua një urdhër, ku përcaktohen kriteret e shfrytëzimit të kësaj literature. Letërsia e huaj do të pasqyrohet në skedarë të rezervuar dhe do t’u shërbehet specialistëve dhe kuadrove për qëllime studimi.
Tiranë 16. IV. 1973.
(SEKTORI I EDUKIMIT)
Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 294. Viti 1973.
(Gazeta Shqiptare)
