Në librin e tij “Në Vetërrethim“ të botuar disa vite më parë, Dr. Jorgji Kote, Mjeshtër i Madh, ka përshkruar disa aspekte sa interesante aq dhe intriguese në të kaluarën moniste. Duke qenë për dekada përkthyes i njohur zyrtar dhe shoqërues me shumë grupe turistike dhe delegacione të partive ( m – l) si dhe ekspert dhe drejtor në ish-Ministrinë e Tregtisë së Jashtme ai ka treguar thjesht dhe me vërtetësi shumë fenomene dhe ngjarje jo shumë të njohura të asaj periudhe.

Në këtë rast interesi është i madh mbasi rrëfimet i takojnë një qytetari dhe zyrtari aktiv të përfshirë në ingranazhet e sistemit të kaluar dhe në ngjarjet madhore të asaj periudhe të vështirë. Këto janë pasqyruar dhe në librin në gjuhën angleze të po këtij autori “True Stories from Red Albania (Ndodhi të vërteta nga Shqipëria e Kuqe”) e cila është pritur me jehonë dhe në median dhe publikun e huaj në Austri, Belgjikë, Luksemburg dhe gjetkë.

BalkanWeb po boton disa prej ngjarjeve më të rëndësishme që lidhen me tregtinë e jashtme, turizmin, lëvizjen marksiste – leniniste, qëndrimet armiqësore ndaj fesë, revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës, vullnetarizmin e detyruar dhe parrullat kryesore të kohës në periudhën 1965 – 1990, të cilat autori i ka jetuar aktivisht qysh në periudhën e shkollës dhe më vonë në shërbimin e jashtëm deri në agimin e demokracisë më 1990.

Sot meqenëse më 7 Mars ishte dhe Dita e Mësuesit, po vazhdojmë me të ashtuquajturin “trekëndëshi revolucionar i shkollës”.

Shkolla në trekëndëshin revolucionar

Lëvizja e tretë ku u përfshimë drejtpërsëdrejti dhe pa e marrë vesh se si edhe ne të rinjtë e asaj kohe ishte “Revolucionarizimi i Shkollës” që çoi në miratimin e Ligjit mbi Arsimin në pranverën e vitit 1969. Gjatë këtij “diskutimi të madh“ tema kryesore ishte vendosja e të ashtuquajturit “bosht ideologjik” që do të përshkonte si një fill i kuq” gjithë veprimtarinë mësimore dhe eduaktive. Në zbatim të këtij parimi, në themel të gjithë procesit mësimor në të gjitha ciklet dhe komponentet e arsimit tonë, madje dhe ne studimet pasuniversiare, u vendosën ideologjia m – l, historia e PPSH-së, materializmi dialektik dhe historik; këto u caktuan si lëndë me vehte, të plota dhe me përparësi.

Gjithashtu ato jepeshin edhe në format periodike të edukimit që filluan të zhvilloheshin në atë kohë. Madje, lëndët politike zhvilloheshin edhe në stërvitjen ushtarake, sidomos ato pas përfundimit të shkollës së lartë dhe më vonë. Kjo krijonte dhe “çuditë “ e veta.

Kështu, gjatë një stërvitjeje të tillë 3 mujore në Durrës, në Maj 1980, me ne ishte dhe një pedagog i Shkollës së Lartë të Partisë, nga më të mirët për lëndën e Historisë së PPSH-së, Profesor Ndueja. Mirëpo, edhe ky profesor, megjithëse u mësonte dhe merrte në provim kuadro të larta të Partisë e të shtetit, tashmë i duhej të jepte provim përpara një pedagogu ushtarak, natyrisht tejet inferior. Ne sugjeruam që ai të mos merrej në provim ose t’i vihej automatikisht nota 10, por jo, rregulli nuk mund të shkelej! Si përfundim, profesori ynë i nderuar doli në provim, iu përgjigj pyetjeve si askush, por u vlerësua me notën 9, duke krijuar ilaritet të natyrshëm mes nesh!

Veç kësaj, “boshti ideologjik” kërkonte që përpara se të zhvillohej ndonjë temë mësimore, mësuesit duhet të përcaktonin me shkrim qëllimin ideo-politik të mësimit. Gjithashtu çdo veprim, çdo pasojë do të duhej të gjykohej mbi bazën e kriterit ideo-politik. Kushdo nga brezi ynë ka shumë histori të vërteta dhe anekdota pikante me punën e boshtit ideologjik, që tani janë kthyer në humor. Kjo pasi u tepërua aq shumë me të, e tepërt siç edhe ishte, saqë u bë vërtet e bezdishme. Këtë e kanë provuar sidomos mësuesit, pasi në çdo temë mësimore, madje dhe në ato të shkencave të natyrës dhe matematikë, ata duhej të përcaktonin paraprakisht me shkrim boshtin ideologjik të orës mësimore. Dhe kjo duhej bërë çdo ditë dhe çdo orë, duke sajuar kështu lloj lloj qëllimesh ideologjike. Mendoni p.sh se sa duhet ta vriste mendjen për këtë një mësues aritmetike, kur shpjegonte shumëzimin ose pjesëtimin!

Po ashtu, në çdo mbledhje apo seminar e për çdo temë diskutimi, raporti apo referati përkatës do të fillonte detyrimisht me një citat nga klasikët e M-l apo udhëheqësi ynë.

Kështu, tregojnë se si në një seminar në Voskopojë të Korçës mbi shtimin e pyjeve, lektori e filloi temën duke cituar Leninin, i cili sipas tij kishte thënë ndër të tjera se “Pyjet janë ari i gjelbër”. Mirëpo, një instruktor partie i Korçës, pjesëmarrës në këtë seminar, i cili kishte studiuar në Shkollën e Partisë në Moskë dhe që i njihte përmendësh gjithë veprat e Leninit, u çudit, sepse ai nuk e kishte hasur këtë citat në asnjë vepër të tij! Ndaj, me shqetësim, ai më vonë takoi lektorin dhe e pyeti se në cilën vepër të Leninit e kishte marrë atë citat. Kryetarin e Komunës e zuri belaja, nuk dinte si t’ia bënte, por pastaj e kapi situtën dhe i tha me ironi:

– Unë të dija të zgjuar, por ti qenke budalla!
– Pse flet kështu? – përgjigjet instruktori
– Sepse e para – i përgjigjet kryetari, jo çdo gjë që ka thënë Lenini është shkruar në veprat e tij dhe së dyti, a nuk ka thënë ai se “ nafta është ari i zi?
– Po – përgjigjet instruktori- atë e ka thënë dhe i tregon veprën se ku ishte përfshirë ky citat.
– Epo, kur nafta është ari i zi, përse pyjet të mos jenë ari i gjelbër, mor burrë i dheut! – i përgjigjet Kryetari dhe të dy ja japin të qeshurit me të madhe.

Një komponent tjetër i rëndësishëm i diskutimit të madh për revolucionarizimin e shkollës ishte dhe programi i lëndëve dhe programet. Një ndër lëndët që ne vetë propozuam të hiqeshin si të panevojshme ishte dhe latinishtja. Jemi bërë pishman disa vite më vonë për këtë “mëkat”. Për më tepër se atë lëndë na e jepte profesori i nderuar dhe përkthyesi i talentuar i perlave botërore të letërsisë, i urti dhe i ndjeri Pashko Gjeçi. Si të gjithë nxënësit dhe studentët e tij të asaj periudhe, ndërmjet të cilëve profesorë dhe akademikë të shquar si Pëllumb Xhufi, i kam ende të gjalla në kujtesë embëlsinë, finesën dhe urtësinë e këtij njeriu të mirë dhe aq paqësor edhe pse ishte dënuar padrejtësisht nga rregjimi i atëhershëm.

Por, padyshim, aspekti më i rëndësishëm por dhe më kritik i këtij diskutimi ishte vendosja e gjithë piramidës së sistemit tonë shkollor në themelet e “trekëndëshit mësim – punë prodhuese dhe stërvitje ushtarake”. Së bashku me “boshtin ideologjik” ky “trekëndësh revolucionar” do të përbënin shtyllën vertebrale të “shkollës sonë të re socialiste”. Ideja ishte që sipas parullës “Në njerën dorë kazmën e librin dhe në tjetrën pushkën,” rinia të ishte e gatshme jo vetëm për mësim, por mbi të gjitha, për ndërtimin dhe mbrojtjen e socializmit. Padyshim, në këtë drejtim ndikoi mjaft përvoja kineze, mbasi në ato vite kishte shpërthyer Revolucioni i Madh Kulturor Proletar, si dhe nevojat e rregjimit nisur nga gjendja e koklavitur ndërkombëtare që shpjeguam më sipër. Kësisoj, u vendos që në programet mësimore të shkollës 8 vjeçare, të mesme dhe të lartë, krahas 8 muajve mësim, detyrimisht një muaj t’i kushtohej stërvitjes ushtarake në një repart ushtarak dhe dy muaj punës fizike, nëpër kantjere dhe qendra pune dhe kryesisht në aksionet e rinisë.

Për të qenë realistë, ideja e futjes së stërvitjes ushtarake u provokua, ose më mirë të themi, u justifikua ideologjikisht edhe nga fakti që në periudhën 1966 – 1968 pati tre ngjarje madhore shqetësuese: më 1964 ne u prishëm me sovjetikët. Ndërkohë, SHBA kishte filluar agresionin e saj ndaj Vietnamit që vijoi për disa vite me rallë. Vendi ynë në atë kohë ishte kundër imperializmit amerikan dhe pro popullit heroik vietnamez. Kam qenë pjesëmarrës në takime të ndryshme kur vinin delegacione nga Vietnami i Veriut i Ho Shi Minit, kur ne brohoritnim “Vietnami heroik“. Madje, në vitin 1966 Shqipëria çoi një ekip prej 12 ushtarakësh për të mësuar nga përvoja vietnameze. Këto janë treguar bukur në gusht të vitit të kaluar në “Gazetën Shqiptare” edhe nga Koloneli në lirim Ramiz Fiçorri.

Gjithashtu, përvoja vietnameze shërbeu si pikë e rëndësishme reference edhe për hartimin e Artit të ri Ushtarak të Luftës Popullore – manuali bazë i ushtrisë sonë aktive dhe rezerviste, derisa u hoq për “tezat e tij disfatiste” në vitin 1975, për t’u ripunuar pas asgjënsimit të “Grupit Puçist” në ushtri. Përvoja vietnameze në mësoi të ndërtonim transhetë dhe tunelet e nëndheshme dhe disa vite më vonë të bunkerëve famëkeq. Gjatë kohës kur shkruaja disa prej këtyre kujtimeve, në gusht 2011, lexova se gjenerali i famshëm vietnamez, ai që drejtoi ushtrinë e saj nga viti 1954 deri në vitin 2000 në luftën kundër francezëve dhe amerikanëve, ish- Ministri i Mbrojtjes, Vo Nguien Giap, festoi më 25 gusht 100 vjetorin e lindjes. I nderuar dhe respektuar si ndër gjeneralët më të famshëm të botës, Ngujen Vo Giap ka qenë për vizitë edhe në Shqipëri, në fillim të viteve 70. Çfarë kontrasti me fatin tragjik të homologut të tij Beqir Balluku që e shoqëroi gjatë asaj vizite!

Gjithashtu, gjatë asaj periudhe, nga qarqe ultrashoviniste greke kishte të dhëna se po përgatitej një sulm mbi vendin tonë në jug të vendit në vitin 1967 – 1968, në një kohë kur ndërmjet dy vendeve tona ishte në fuqi ligji i luftës dhe nuk ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike. Më 1967, aty erdhi në fuqi klika e Kolonel Markos, ndërsa në Portugali diktatura e Salazarit. Madje, në atë periudhë, u vra, në rrethana jo fort të qarta dhe aq heroike, siç thuhej, në kufirin me Greqinë në Kakavije, ushtari Llesh Pali, i cili u varros me të gjitha nderimet e një heroi. Kënga për të me çifteli këndohej disa herë në ditë gjatë asaj periudhe.

Ndërsa më 22 Gusht 1968, BS sulmoi dhe pushtoi Çekosllovakinë, një ngjarje me jehonë të madhe ndërkombëtare. Për t’i dalë përballë ndonjë rreziku të mundshëm, më 13 Shtator 1968, Shqipëria shpalli zyrtarisht denoncimin dhe largimin nga Traktati i Varshavës, organizëm politiko-ushtarak i krijuar si kundërpeshë ndaj NATOS në vitin 1955, nga i cili ne kishim dale “de fakto” qysh në vitin 1981. Edhe pse kishim mbështetjen e Kinës, duke qenë se bëhej fjalë për rreziqe eminente, udhëheqja e vendit mendonte se kërkohej një përgatitje më e mirë dhe më e organizuar fizike dhe ushtarake, për më tepër kur bota ziente nga gara e armatimit bërthamor. Kësisoj, rregjimi i atëhershëm i shfrytëzoi politikisht këto dy momente dhe krahas masave të tjera, përgatitja ushtarake u konsiderua si tejet e nevojshme.

Futja e saj si lëndë më vehte dukej e justifikuar, edhe pse tejet e egzagjeruar, ndaj nuk kishte dhe shumë arsye, në situatat e treguara më sipër, që të shprehej ndonjë kundërshtim ndaj saj. Kjo stërvitje kryhej pranë reparteve ushtarake, kryesisht në pikat e Mbrojtjes Kundërajrore rreth Tiranës. Eshtë interesant fakti se përgatitja ushtarake kishte lindur, natyrisht me porosi nga lart në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja aty nga mesi i vitit 1967. Ishin 100 vajza të asaj shkolle të cilat kishin marrë iniciativën për t’u stërvitur vullnetarisht pranë pikave ushtarake të mbrojtjes kundërajrore. Sapo filluam mësimet në atë shkollë, në shtator 1967, edhe ne e “ përqafuam “ këtë nismë revolucionare. Por, ishte vërtet sakrificë, pasi detyrimisht bënim çdo ditë 6 orë mësim, me qëllim që të shtunave ta kishim ditën tërësisht të lirë për përgatitjen ushtarake. Kësisoj, në vitin 1969, pas miratimit të Ligjit mbi Arsimin,stërvitja ushtarake u bë e detyrueshme, duke zhvilluar nga një muaj “zbor” në vit.

Kjo praktikë vijoi deri në fund të viteve 80, kur të gjithë, nxënë, studentë, puntorë, kooperativistë, zyrtarë, burra e gra ishim të detyruar ligjërisht të zhvillonim stërvitje ushtarake. Plot mundime e privacione, sidomos për vajzat, pasi “ zbori” zhvillohej në kushtet e mungesës së elementëve kryesorë të jetës e në radhë të parë të ujit të bollshëm për larje pas stërvitjeve në terren. Por edhe episodet interesante, shoqëria që kemi krijuar dhe kujtimet në këto zbore janë të shumta e disa prej tyre tejet zbavitëse kur i kujtojmë.

Kështu, gjatë periudhës universitare, në vitet 1971 – 1974, bashkë me Fakultetin Ekonomik dhe të Inxhinierisë Elektrike, stërvitjen një mujore ushtarake e kemi zhvilluar vazhdimisht në një repart diku në qendër të Kavajës. Ka mbetur e gjallë në kujtesën tonë se si pas programit të gjatë e të lodhshëm të stërvitjes taktike në kushtet e një të nxehti të jashtëzakonshëm korriku, Komandanti i Togës tonë, ish-pedagogu dhe miku ynë i frëngjishtes, i ndjeri Kiço Xega, na çonte “ilegalisht” për shplodhje e freskim në fshatin Synej. Aty ishte një klub, nën një hije fiku, që gjatë 4 viteve rresht u bë vendpushimi ynë “i bekuar”. I zoti i klubit, se pronar nuk kishte atëhere“, i ndjeri Zon Merhori, jo vetëm na priste e na shërbente më gëzim, por tregonte kujdes që kaushët e akullores të na i jepte sa më të mëdha dhe pijet freskuese sa më të ftohta. U bëmë miq të mirë.

Po ashtu, në programin e detyrueshëm shkollor u fut dhe puna prodhuese. Çdo vit të gjithë ne ishim te detyruar të bënim një dhe më vonë 2 muaj punë prodhuese pranë qendrave të punës e prodhimit, fabrikave, fermave dhe kooperativave bujqësore; madje, me vonë, në kuadrin e luftës kundër burokratizmit dhe forcimit të lidhjes me masat në punë prodhuese të detyrueshme një mujore u përfshinë edhe të gjithë zyrtarët. Kjo vijoi deri nga viti 1988, kur puna prodhuese u hoq, pasi kishte humbur çdo sens dhe kishe degjeneruar. Për këtë temë e sidomos aksionet rinisë do të shkruaj më shumë në krerët vijues.

Në fund të këtij kreu, e shoh me vend të theksoj se pavarësisht nga dukuritë e mësipërme negative dhe politizimit ekstrem, falë programeve intensive dhe të konsoliduara mësimore, sidomos në shkencat teknike e të natyrës ku dhe politizimi ishte me doza më të vogla, përkushtimit dhe profesionalizmit të pedagogëve të saj të shquar dhe mobilizimit të qindra mijra nxënësve, studentëve dhe familjeve të tyre, dihet tashmë se nga dyert e shkollës shqiptare të asaj kohe e më vonë kanë dalë mjaft kuadro dhe specialistë të aftë e të njohur në të gjitha fushat e jetës. Shumë prej tyre janë specializuar, punësuar dhe kanë bërë emër edhe në institucione publike dhe private të rëndësishme jashtë vendit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb