Te Partizani merkatoja vijon të mbetet pa asnjë lëvizje zyrtare, megjithëse vazhdimisht kanë qarkulluar emra dhe opsione. Në klubin e kuq deri më tani ka pasur vetëm largime. Taipi dhe Osmanllari janë bërë zyrtare, ndërsa pritet që Eleke e Domgjoni, të cilëve gjithashtu i ka skaduar kontrata, të njoftohen në ditët në vijim.
Në dalje ka pasur mjaft lëvizje te “Demat”, teksa në hyrje deri më tani dera ka qëndruar e mbyllur. “Panorama Sport” ka mësuar se të kuqtë kanë pasur kontakte konkrete me tre futbollistë, me të cilët ka pasur një akord paraprak, por firma mbi kontratë është lënë në një moment të dytë, çka ka bërë edhe që emrat të mbahen sekret në këtë moment.
Të kuqtë janë përqendruar në afrimin e dy mbrojtësve të krahut, dy mesfushorëve dhe së paku dy sulmuesve të nivelit të lartë.
