Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka hedhur poshtë kritikat se Uashingtoni po “eksperimenton” në Venezuelë.
Ai ka shpjeguar strategjinë e SHBA-së për vendin pas operacionit kundër Nicolas Maduro, sipas prestigjiozes, “Reuters”.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një plan prej tre hapash për Venezuelën që do të fillojë me stabilizimin e vendit pasi forcat amerikane arrestuan udhëheqësin, Nicolas Maduro, duke siguruar që kompanitë amerikane të naftës të kenë akses në vend gjatë një faze rimëkëmbjeje dhe më në fund duke mbikëqyrur një tranzicion, tha Rubio.
Gjithashtu ai nënvizoi se plani i SHBA-së për Venezuelën fokusohet te stabiliteti, rimëkëmbja dhe më pas tranzicioni.
“Politika e SHBA-së ndaj Venezuelës bazohet në një strategji të strukturuar që përfshin kontrollin mbi naftën, e cila shihet si një mjet të jashtëzakonshëm për të nxitur ndryshime politike dhe ekonomike në vend”, tha Rubio.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Rubio u përpoq të qetësonte kritikat e senatorëve të cilët akuzuan Uashingtonin se po vepron pa një qasje të qartë.
Rubio tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndërmend të qeverisin Venezuelën drejtpërdrejt, por synojnë të mbajnë një “karantinë energjetike” për anijet që shkojnë dhe vijnë nga Venezuela.
“Ne do të vazhdojmë me karantinën dhe presim të shohim ndryshime që jo vetëm që përparojnë interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por gjithashtu çojnë në një të ardhme më të mirë për popullin e Venezuelës”, u shpreh ai.
