Dinamo e nisi sezonin e ri me vështirësi në Superiore, ku pas fitores në javën e parë të kampionatit, pësoi 2 humbje radhazi dhe mori një barazim tjetër, megjithatë situata në kampin blu ka ndryshuar.

Tani mund të flasim për një skuadër e cila synon titullin kampion dhe nëse bëjmë një krahasim me sezonin e shkuar, mund të themi se Dinamo po bën më mirë se vitin e fundit ku fitoi Kupën e Shqipërisë dhe arriti në “Final 4”.

Pas javës së gjashtë, kryeqytetasit e shohin veten në vendin e pestë me 10 pikë, aq sa ka edhe Teuta e vendit të katërt dhe ka aktualisht 2 pikë më shumë se Dinamo e sezonit të shkuar që renditej në vendin e pestë me 8 pikë. Ndërkohë, për të mbyllur fazën e parë, Dinamo ka edhe 3 ndeshje mjaft delikate, ku fillimisht luan në trasfertë ndaj kampionëve të Egnatias, e më pas do të presë në shtëpi Vorën, për ta mbyllur me Partizanin në derbin e kryeqytetit.

Nëse Dinamo arrin të fitojë të gjitha ndeshjet e mundshme, atëherë do të shkonte në kuotën e 19 pikëve, pikë të cilat sezonin e shkuar i kishte në javën e 12 të kampionatit, pra 3 javë më vonë. Sezonin e shkuar, Dinamo ndërroi trajnerin që në javën e tretë të kampionatit, aty ku vendin e Dritan Mehmetit e mori Ilir Daja, i cili debutoi pikërisht në derbin ndaj Partizanit duke barazuar 2-2. Sezonin e fundit, Daja riktheu trofe te Dinamo, pasi mundi në finalen e Kupës skuadrën e Egnatias, ndërkohë që këtë sezon synim është titulli.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb