Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, ka triumfuar në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke fituar medalje ari.

Krasniqi e ka nisur mbarë ditën e parë të “Tokio 2020”, pasi ka fituar të gjitha ndeshjet, ku në finale ajo u përball me japonezen Funa Tonaki.

Gjithashtu, pejania ka fituar ndeshjen e parë me ‘ippon’ ndaj brazilianes, Gabriela Chibana, ndërsa në çerekfinale mposhti me ‘ippon’ Chen Hao Lin në kategorinë deri në 48 kilogramë.

Në gjysmëfinale, Distria u takua me kundërshtaren Urantsetseg Munkhbat, të cilën arriti ta mposhtë gjithashtu, edhe pse me pak vështirësi. Xhudistja kosovare u tregua e fortë, duke fituar me anë të ‘Waza-Arit’.

Në finale, Distria u takua me japonezen Funa Tonaki, të cilën sikurse edhe çdo kundërshtare tjetër e mposhti, duke bërë krenare gjithë Kosovën.

Me këtë triumf, xhudistja fiton medaljen e artë në “Tokio 2020”, në kategorinë deri në 48 kilogramë.

Kjo është medalje e dytë olimpike për shtetin e Kosovës, pasi e para i përket Majlinda Kelmendit, e cila fitoi të artën në kategorinë deri në 52 kilogramë në Rio de Janiero të Brazilit në vitin 2016.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb