Në repartin e Onkohematologjisë pediatrike, ku çdo ditë përballet me sfida të mëdha për fëmijët dhe familjet e tyre, edhe detajet më të vogla mund të bëjnë një ndryshim të madh. Së fundmi, një nismë e thjeshtë, por me shumë domethënie nga platforma Tring ka sjellë dekoderë falas në këtë repart, duke u mundësuar fëmijëve të ndjekin kanalet e preferuara televizive.

Për shumë prej tyre, ditët në spital janë të gjata dhe shpesh të mbushura me procedura mjekësore dhe qasja ndaj kontentit televiziv për fëmijë nuk është thjesht argëtim. Ajo krijon një moment normaliteti, një hapësirë të vogël ku mendja mund të largohet për pak nga trajtimet dhe ambienti spitalor, duke e bërë dhomën e spitalit të ndihet pak më shumë si shtëpi.

Teksa na shoqëronte korridoreve të bardha, ku binte në sy ambienti i ngrohtë dhe miqësor, shefja e repartit, doktoreshë prof.as Donjeta Bali, në një rrëfim që shkon përtej peshës së bluzës që mban veshur, thekson se mbështetja e komunitetit është një element shumë i rëndësishëm në rrugëtimin e trajtimit dhe ndërveprimet që shkojnë përtej kuadrit klinik, qoftë përmes aktiviteteve, vizitave apo iniciativave të tilla, ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien emocionale të fëmijëve.

Një ambient më i ngrohtë dhe më familjar ndihmon jo vetëm të vegjlit, por edhe prindërit që i shoqërojnë në këtë periudhë të vështirë, pasi këto janë eksperienca jetëndryshuese jo vetëm për pacientët, por edhe për të gjithë rrethin e tyre. Dhe kur komuniteti i vjen në ndihmë komunitetit, kur të gjithë bëhemi bashkë, hija e sëmundjes duket sikur rëndon më pak.

Heronjtë e vegjël, ata që kanë luftuar dhe ia kanë dalë, janë sot motiv krenarie e gëzimi, ndërsa të tjerët një shtysë e fuqishme se gjithmonë duhet përkushtim që sjell avancimin, në fushën e onkologjisë pediatrike që po ecën me hapa galopantë e të vrullshëm drejt risive, drejt zbulimit, drejt jetës.

Sidomos në reparte të vështira si ky, shton doktoresha, sepse, përpos titujve, kështu preferon ta thërrasin, ndoshta sepse ky titull simbolizon forcën, një nga qëllimet kryesore është që trajtimi të shkojë përtej dhe kujdesi shëndetësor të shoqërohet edhe me mbështetje emocionale, sociale dhe komunitare.

Kjo nismë e platformës Tring është një kujtesë e thjeshtë, por e rëndësishme se, ndonjëherë, një gjest i vogël, si mundësia për të ndjekur një program të preferuar në televizor, një moment buzëqeshjeje apo një histori e ndjekur në ekran mund të bëhet një dritare e vogël shprese për një fëmijë që po përballet me një betejë të madhe. Dhe kur komuniteti bëhet pjesë e kësaj përpjekjeje, spitali mund të ndihet pak më pak si spital dhe pak më shumë si një vend ku shpresa gjen vend çdo ditë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb