NGA KLODIANA HAXHIAJ
KRUJE– Dëshmitari i fundit që është gjallë si autor i dyshuar për vjedhjen e makinës që u përdor për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, i ka shpëtuar një atentati me tritol. Persona ende të paidentifikuar nga policia, kanë shpërthyer një sasi lënde eksplozive në automjetin e Gentian Bejtjes, vetëm pak çaste pasi ai kishte dalë nga banesa. Dëmtimet e pësuara kanë qenë të lehta e kryesisht në pjesën e këmbëve, por deklaratat e tij në polici nuk i kanë dhënë shumë dorë përparimit të hetimeve.
“Nuk kam konflikte me njeri dhe as nuk kam pasur. Nuk e di kush mund ta ketë bërë. Gjejeni ju autorin”, – ka thënë 35-vjeçari nga Spitali i Traumës në Tiranë ku gjendet nën kujdesin e mjekëve. Gentian Bejtja së bashku me Enver Stafukën, të dy nga fshati Larushk i Fushë-Krujës, u akuzuan për vjedhjen e makinës tip “BMW” që u përdor për atentatin e kryekomisarit të Kombinatit, Dritan Lamaj, më 24 shkurt 2013, por që të dy u liruan shpejt nga akuzat.
Policia bëri me dije se një sasi prej rreth 20 gramësh tritol i ishte vendosur mjetit tip “Touareg” me targa AA 020 BH poshtë derës së shoferit, dhe ka shpërthyer pak çaste nga ndezja e mjetit, ndërsa policia e Durrësit dhe hetuesit kanë ngritur një sërë pistash dyshimi, se kush e do të vdekur, e për çfarë arsyeje tentojnë eliminimin e 35-vjeçarit, i skeduar për vepra të rënda penale. Bejtja është arrestuar disa herë nga policia e Krujës, por në rrethana ende të mistershme i ka shpëtuar burgut. Ngjarja ka ndodhur në orën 09:30 të mëngjesit, në afërsi të banesës së Gentian Bejtes, prind i dy fëmijëve, e kjo ngjarje shënohet pas 20 muajsh nga zhdukja e mistershme që iu bë Enver Stafukës, 51 vjeç, nga tre persona të maskuar si punonjës policie. Që atëherë nuk dihet më asgjë për të.
HETIMET
Hetuesit të cilët e kanë marrë në pyetje dhjetëra herë Bejten për shumë çështje të tjera, edhe këtë radhë nuk kanë marrë informacion të vlefshëm nga 35-vjeçari në lidhje me konflikte të mundshme me persona të tjerë. Ata kanë shoqëruar mbi 20 persona gjatë ditës së djeshme, kryesisht të afërm e miq të Gentian Bejtjes, por edhe persona me precedent penalë, por pa mundur të zbulojnë identitetin e autorëve. Hetuesit janë treguar shumë të matur në lidhje me këtë ngjarje, për vetë faktin se miku i Bejtjes, Enver Stafuka është zhdukur pa asnjë gjurmë prej 8 shkurtit të 2015-ës. Burimet bëjnë me dije se shkak i atentatit është pa dyshim e kaluara e tij kriminale.
“Nuk mund ta dimë nëse ishte paralajmërim apo tritoli u vu për ta vrarë, por ky ishte një kërcënim serioz për jetën e 35-vjeçarit”, pohojnë burimet. Gentian Bejtja ishte një prej të shoqëruarve të shumtë nga policia e Krujës, pasi u gjetën 800 gramë tritol në makinës “BMW X5” të Durim Bamit, “vrasësit” të Tom Doshit, akuza këto të pavërtetuara nga prokuroria. Hetuesit kanë hapur edhe një herë dosjet, për të bërë të mundur lidhjen e faktorëve. Mësohet se Enver Stafuka dhe Durim Bami kanë qenë disa muaj nën përgjim edhe për vrasjen e bankierit Artan Santo.
Vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt, si u përfshinë Enver Stafuka e Gentian Bejtja
Tri ditë pas vrasjes së kryekomisar Lamajt më 27 shkurt 2013, është arrestuar Gentian Bejtja, ndërsa Enver Stafuka u arrestua në 29 maj të 2013-ës, tre muaj më pas, për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Stafuka u akuzua se ka qenë bashkëpunëtor me Gentian Bejtjen, ish-gardianin e burgut të Fushë-Krujës që u akuzua si grabitësi kryesor. Sipas organit të akuzës, dy banorët e fshatit Larushk, komshinj me njëri-tjetrin, e kanë grabitur automjetin në pronësi të një doganieri, tip “BMW” me targa Dr 1944 F ngjyrë gri, e më pas ua kanë dhënë personave të panjohur, që kryen atentatin ndaj shefit të policisë.
Automjeti pas vrasjes së komisarit u gjet i djegur në Domje. Por akuza nuk u provua as nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila ia delegoi çështjen Gjykatës së Shkallës së parë në Durrës. Kjo gjykatë në 13 nëntor 2013, i shpalli të pafajshëm dhe i liroi nga akuzat e nga burgu dy personat e dyshuar, Stafukën dhe Bejtjen. Gjatë seancës u paraqitën edhe pamjet nga kaseta, ku nga prokuroria pretendohet se ka sekuenca ku shfaqej autorësia e vjedhjes. Pas këtyre provave, trupi gjykues për mungesë provash, vendosi që të shpallë të pafajshëm dy të dyshuarit.
Arrestimi i radhës, Bejtjes iu gjet armë me silenciator më 2013
Policia e Krujës arrestoi për herë të dytë ishpunonjësin e burgjeve Gentjan Bejtja, të cilit gjatë kontrollit në banesë iu gjet një armë zjarri silenciator. Komisariati i Policisë së Krujës e kreu aksionin për prangosjen e tij në orën 5:30 të mëngjesit në fshatin Larushk, për të ekzekutuar urdhrin e Gjykatës së Shkallës së dytë, për riarrestim të tij, me akuzën e “Grabitjes në bashkëpunim” të mjetit tip “BMW” me targa Dr 19 44 F, që i përkiste një doganieri në portin e Durrësit.
Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, në seancën e mbajtur javën e parë të gushtit 2013 i kishte dhënë masën e “Arrestit në shtëpi” Bejtjes, gjë e cila ishte apeluar nga prokuroria e Durrësit. Gjykata e Apelit vendosi të ndryshojë masën nga “Detyrim paraqitjeje” në “Arrest me burg”, duke e rikthyer në burg Gentian Bejtjen. Në 13 nëntor 2013 Gjykata e Apelit i dha pafajësinë Bejtjes.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
