TIRANË- Ashtu siç edhe pritej, Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi sot masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Vladimir Gjutën, personi kryesor i dyshuar për sulmin me tritol në farmacinë e babait të Saimir Tahirit. Më herët e njëjta masë sigurie ishte vendosur nga Gjykata në mungesë për Gjutën. Seanca është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie, ashtu siç ka qenë edhe Gjuta i shoqëruar për në Gjykatë.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, Gjuta ka mohuar kategorikisht lidhjen e tij me akuzat, për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Ndërkohë gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për Indrit Ademin nga Kukësi, i cili akuzohet se ndihmoi Vladimir Gjutën në arrati. Tashmë pritet vendimi i gjykatës edhe për Blerim Thaçin, shtetasin kosovar që ishte me Gjutën në momentin kur ai u arrestua në tunelin e Kalimashit, të enjten. Vladimir Gjuta akuzohet për vendosjen e tritolit në farmacinë e Bashkim Tahirit si dhe mesazhin kërcënues ndaj Ministrit të Brendshëm.

Gjatë arrestimit, Gjutës i është gjetur sipas policisë, edhe një letër me emrat e stafit të kandidatit të majtë për Bashkinë e Kukësit, çka ka bërë që blutë të kenë dyshime të forta se ai ishte duke shkuar në Kukës për t’u bërë presion për zgjedhjet. Ndërkohë dje policia deklaroi se në makinën me të cilën udhëtonte Gjuta është gjetur një pistoletë e larë me flori, me inicialet V.GJ. Vetë Vladimir Gjuta ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij në lidhje me tritolin, duke deklaruar se do të dorëzohej vetë pas zgjedhjeve vendore.

BLERIM THAÇI: NUK e NJIHJA GJUTËN, E MORA SI PASAGJER NË MAKINË

Kosovari i arrestuar bashkë me Vladimir Gjutën, Blerim Thaçi ka thënë në Polici se nuk e njihte atë. Ai ka rrëfyer se Gjuta i ka kërkuar ta merrte si pasagjer në makinë para se të hynte në tunelin e Kalimashit. “Unë nuk e njihja më parë dhe nuk kam asnjë lidhje me të. As që e dija se ishte në kërkim. Më ngriti dorën para se të hyja në tunel dhe më kërkoi ta merrja si pasagjer deri në Kukës, ndaj e mora. Pastaj policia na ndaloi sapo hymë në tunel dhe aty mora vesh se ai ishte person në kërkim”, ka thënë kosovari.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: