Mark Markez ka mbyllur një tjetër fundjavë perfekte, duke komanduar në Çmimin e Madh të Gjermanisë. Pas shënoi “pole position” dhe pasi fitoi Sprintin të shtunën, piloti i Dukatit tregoi muskujt edhe në garën e madhe të së dielës, duke triumfuar bindshëm në pistën e tij të preferuar. Spanjolli nuk gaboi në start, ndërsa u shfaq dominues në garën e zhvilluar në Saksenring që nga xhiro e parë e deri tek ajo e fundit, për të mbërritur i shkëputur në finish.

Në vend të dytë u rendit vëllai i tij, Aleks Markez me motorin Dukat Gresini, ndërsa podiumi u plotësua nga piloti tjetër i Dukatit zyrtar, Françesko Banjaja. Të dy këta përfituan nga rrëzimet e Fabio di Xhanantonios në fillim dhe të Marko Bexekit më pas, në momentet kyçe të garës, duke siguruar kështu vende podiumi. Për t’u kthyer te protagonisti i madh i garës së djeshme, Mark Markez e dërgoi në 69 numrin e fitoreve në klasin mbretëror të motorëve, duke kaluar Xhakomo Agostinin, ndërsa mbetet i dyti, pas Valentino Rosit me 89 gara të fituara, si pilotët me më shumë triumfe në kategorinë më të lartë të motorëve.

Për Markezin kjo ishte gara e 200-të në karrierë, ndërsa suksesi i djeshëm ishte i 12-ti për të në Saksenring, me pilotin spanjoll që thellon edhe më shumë në renditje, duke u shkëputur në 83 pikë nga ndjekësi më i afërt, Aleks Markez dhe me 147 pikë nga Banjaja. Me këtë ritëm të jashtëzakonshëm, shtatë dopieta sezonale, me suksese në garë dhe Sprint, Markez Markez mund të shpallet matematikisht kampion që në raundet e para të eventeve në Azi në fillim të vjeshtës.

Në këtë moment, Markez duket thjesht i papërballueshëm në çdo pistë dhe jo më në cirkuitin e tij të preferuar, siç është Saksenringu. Gara gjermane ishte monotone, ndërsa u ndez falë disa rrëzimeve, teksa vetëm 10 nga 18 pilotët që startuan, arritën të mbërrinin në finish. Rrëzimet më të dhimbshme ishin të italianëve Di Xhanantonio dhe Bexeki, në të dyja rastet të ndodhura në kthesën 1, me pilotët që ndodheshin në vendin e dytë, duke shpërdoruar mundësi të arta për podiumin. Pas Gjermanisë, kampionati këtë fundjavë do të zhvendoset në Brno, për Çmimin e Madh të Çekisë.

Screenshot 2025-07-14 090504 Screenshot 2025-07-14 090513

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb