Çdo vit tashmë është kthyer në modë, që buxheti për federatat sportive olimpike të çelet gjithnjë e më vonë. Ndonëse sporti ka nisur aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare prej muajsh, fondi grant ende nuk është shpërndarë. Por përtej pritjes së gjatë, me të cilën federatat prej kohësh janë “mësuar”, duket se këtë viti shteti ka menduar një tjetër “dhuratë” për to.

Gazeta “Panorama Sport” ka arritur të sigurojë dokumentin e urdhrit për shpërndarjen e fondit grant për sportin për vitin 2022, dokument që mban firmën e ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi. Buxheti vjetor për federatat ka pësuar një ulje të frikshme, duke u tkurrur nga 1 miliard e 380 milionë lekë të vjetër që ishte një vit më parë, në vetëm 500 milionë për vitin 2022.

Një ulje drastike në vlerën e 64%, që i jep një goditje të tmerrshme shumësportëshit në Shqipëri. Gazeta ka kontaktuar me disa prej federatave, të cilat janë gjithashtu në dijeni të këtij dokumenti, por duke qenë se ende nuk u ka mbërritur në rrugë zyrtare nuk kanë preferuar që të prononcohen.

Kështu, Federata e Basketbollit, e cila ishte më e paguara në vitin e kaluar me 180 milionë lekë të vjetër, këtë vit sheh që t’i akordohen vetëm 39 milionë, në një kohë që kërkesa për të përmbushur kalendarin e ngjeshur të aktiviteteve nga FSHB-ja ka qenë prej 800 milionë lekësh.

Kujtojmë se shteti kosovar jep për sportin e koshit rreth 1 milionë euro në vit, pa llogaritur efiçencën e ligjit të sponsorizmit, që atje ka një efekt të madh.

Në të njëjtën situatë ndodhet edhe volejbolli që kalon nga 175 milionë lekë në 34 milionë. Peshëngritja, e cila ka shkruar historinë me medalje botërore gjatë vitit të kaluar dhe që këtë vit do të presë në vendin tonë evenimente madhore si Kampionati Europian, ka marrë si “shpërblim” nga shteti zbritjen e buxhetit nga 145 milionë lekë të vjetër, në 53 milionë.

Në të njëjtat kushte ndodhen boksi, atletika e të gjithë me radhë. Çiklizmi, që vjet përfitoi 120 milionë, këtë vit i hiqet 100- shja, me dyrrotakët që tashmë duhet të “kënaqen” me vetëm 21 milionë.

Një situatë alarmante, që rrezikon t’i vendosë drynin shumësportëshit në vend. Ndërkohë, prioritet kanë pasur sportet e malit, teksa skitë dhe alpinizmi janë të vetmet federata që kanë përfituar rritje të buxhetit. Ndërsa Danci Sportiv, që vjet nuk mori asnjë kacidhe, këtë vit përfiton rreth 13 milionë lekë të vjetër.

Tabela1
Tabela1

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: