Historia që do të trajtohet ditën e sotme e ka zanafillën vite më parë, në kohën kur djali i një 56-vjeçareje vendosi të martohej dhe të krijonte familjen e tij.

Në rrëfimin e saj për redaksinë e emisionit me ” Me Zemër të Hapur”, me moderatore dhe autoren Evis Ahmeti, asaj kohe ajo rrëfeu se marrëdhënia mes djalit dhe nuses nuk kishte qenë asnjëherë e qetë dhe se tensionet kanë qenë të pranishme që në fillim të martesës. Sipas saj, nusja nuk kishte marrëdhënie të mira as me bashkëshortin dhe as me vjehrrën.

56-vjeçarja asaj kohe u shpreh se, edhe pse djali kishte krijuar familjen e tij, ai vazhdonte të mbante mbi supe përgjegjësitë kryesore për familjen dhe të përpiqej të mbante gjithçka në këmbë.

“Në kohën që djali im u fejua, dy familjet tona njiheshin edhe më parë. Unë kam punuar te shkolla, shitëse. Prindërit e nuses ndërhynin shumë në marrëdhënien e djalit dhe nuses. Donin të komandonin. Babai i saj e kërcënonte i thonte më bjer vajzën dhe djali shtangej, frikësohej. Unë jam shumë e lodhur me gjithë këtë situatë. Nga momenti në moment krijoheshin konflikte. Fëmijën, gjithmonë e kam marrë me grip, të sëmurë…Fajin gjithmonë na e hedhin neve. Babai dhe e ëma e ish-nuses gjithmonë shkaktojnë konflikt. Unë kam treguar gjithçka te Policia e Manzës, te sociali, vajza e vogël po shkon 4 vjeçe dhe nuk di të flasë si të gjithë moshatarët e saj. Vajza e vogël është shumë e dobët sepse nuk ushqehet mirë”, tregon 56-vjeçarja.

Sipas saj, u përkeqësua në momentin kur familjarët e nuses ndërhynë dhe e morën atë me forcë, duke e larguar nga bashkëshorti.

Ajo rrëfen gjithashtu se djali i saj asaj kohe nuk kishte mundësi ta takonte apo të shikonte fëmijën e tij, pasi familja e nuses nuk e lejonte një gjë të tillë. Për më tepër, 56-vjeçarja tregoi se edhe marrëdhëniet mes krushqve kanë qenë të tensionuara, duke pretenduar se në familjen e tyre ka pasur episode dhune, pasi sipas saj krushku ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

“Ne e marrim tani një erë në javë. Më parë nuses i thashë fëmija është sëmurë, vizitoje se çfarë të duhet t’i jap unë. Kur shkojmë herën tjetër, del gjyshja dhe ia jep djalit gocës…Dhe nuk shkojmë dot as afër te dera sepse krijohet konflikti. Kur morëm gocën ishte pothuajse me 40 gradë temperaturë dhe gjyshja e vet e lentë fëmijën të ecte vetë”, tha më tej ajo.

Ndërkohë, kjo histori ka marrë edhe zhvillime të reja. Gjyshi i fëmijës nga ana e babait ka ndërruar jetë, dhe sipas familjarëve, një nga dhimbjet më të mëdha që e rëndoi ishte pikërisht mungesa e mbesës së tij, të cilën nuk arriti ta takonte.

Sot, vogëlushja është  3 vjeç e gjysmë dhe vazhdon të qëndrojë pranë familjes së nënës. Por gjyshja nga ana e babait pretendon se kushtet në të cilat po rritet fëmija janë tepër të vështira.

Ajo tregon se familja e saj është përfshirë në një betejë ligjore për kujdestarinë e të miturës, me qëllim që t’i ofrojnë kushte më të mira jetese dhe mundësinë për të ndjekur edhe kopshtin, si çdo fëmijë i moshës së saj.

Sipas rrëfimit të saj, nëna e fëmijës kalon pjesën më të madhe të kohës në punë dhe nuk kujdeset drejtpërdrejt për të, duke ia lënë shpesh në përkujdesje prindërve të saj. Ajo pretendon se ambienti ku rritet vogëlushja është problematik, duke akuzuar babain e nuses për përdorim të alkoolit dhe duke thënë se në atë familje përdoret një gjuhë e papërshtatshme për praninë e një fëmije.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: