DIVJAKË- Një ngjarje shokuese ka ndodhur në një fshat të Divjakës ku një nxënëse vetëm 12-vjeçe dyshohet se është përdhunuar sistematikisht nga një mësues brenda ambienteve të shkollës. Ngjarja është zbuluar vetëm pasi e mitura ka vendosur ti tregojë me lot në sy nënës abuzimet që sipas saj kishin ndodhur disa herë. Pas denoncimit të familjes së minorenes, është vënë në pranga mësuesi Demir Hoxha, 62 vjeç lindur në Gramsh dhe banues në fshatin Zharnec Divjakë, i cili akuzohet për marrëdhënie seksuale me dhunë me një të mitur.

Burime nga policia sqarojnë se Hoxha me detyrë mësues në shkollën 9-vjeçare në Kryekuq akuzohet se ka abuzuar seksualisht me të miturën. 62-vjeçari i arrestuar është mësues kujdestar i të miturës që ka bërë denoncimin.

“Policia ka bërë ndalimin e shtetasit Demir Hoxha, 62 vjeç, banues në fshatin Zharnec Divjake, me profesion mësues në shkollën nëntë­vjeçare. Akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë në mënyrë të përsëritur me shtetasen e mitur A.K, duke shfrytëzuar detyrën si mësues kujdestar i saj në shkollën 9-­vjeçare. Ngjarje kjo,e ndodhur në ambientet e kësaj shkolle”­ thuhet në njoftimin paraprak të policisë. Materiali hetimor për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur&Shpërdorim i Detyrës”, do t’i kalojë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprime hetimore të mëtejshme”, – sqaron policia.

DREJTORI I SHKOLLËS: NGJARJA TRONDITËSE, HOXHA MËSUES PREJ 20 VITESH NË KËTË SHKOLLË

Menjëherë pas arrestimit të mësuesit 62-vjeçar ka folur për Neës24 drejtori i shkollës 9-vjeçare “Hysen Malko”, në fshatin Kryekuq të Divjakës ku jepte mësim i akuzuari. Drejtori Vasil Rrushi i tronditur ka thënë se Demir Hoxha ishte mësues prej 20 vitesh në këtë shkollë, por nuk ka pasur denoncime ndaj tij. Sipas drejtorit Rrushi, Hoxha ishte mësues i klasës së pestë, klasë që ka mbi 20 nxënës.

“Ngjarja tronditëse, është e pabesueshme. 62-vjeçari ishte mësues prej 20 vitesh në këtë shkollë. Nuk ka pasur denoncime më parë. Hoxha ishte mësues i klasës së pestë, klasa e tij ka mbi 20 nxënës. Ngjarjen tronditëse e mësuam nga mediat. Në shkollën “Hysen Malko” kjo s’ka ndodhur kurrë më parë. Presim nga organet e drejtësisë që ngjarja të hetohet”, ka thënë drejtori Vasil Rrushi.

E AFËRMJA: ABUZIMI I FUNDIT NDODHI KËTË TË PREMTE NË KLASË

Pas denoncimit të ngjarjes shokuese që ka përfshirë një shkollë 9-vjeçare në Divjakë, vijnë edhe dëshmitë tronditëse. Një e afërme e të miturës së abuzuar nga mësuesi 62-vjeçar ka rrëfyer për Neës24 të tjera detaje tragjike të kësaj ngjarjeje. Jetmira Kishto tha se nga rrëfimi që e 12-vjeçarja ka bërë para nënës së saj ka treguar se abuzimi ndodhte në mëngjes në orën 7:30, ndërsa rasti më i fundit kishte ndodhur para 5 ditësh, në datë 29.

“Vajza i tregoi të ëmës për abuzimin. Abuzimi ndodhte në mëngjes në orën 07:30. Abuzimi i fundit ndodhi këtë të premte në klasë. Gjithçka ndodhte në klasën ku bëhej mësim”, ka treguar e afërmja.

MAS: DËNOJMË AKTIN, TOLERANCË ZERO NDAJ KËTIJ FENOMENI
Ministria e Arsimit dhe Sportit në një reagim të saj drejtuar mediave ka dënuar rëndë aktin e ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Hysen Malko”, në Kryekuq të Lushnjes, ku një mësues u arrestua nën akuzën se kishte abuzuar seksualisht me nxënësen e tij të mitur.

MAS ka deklaruar se pseudo-mësuesi do të marrë dënimin e merituar nga drejtësia, ndërsa theksoi se ky ministria nuk ndalet vetëm me shkarkimin e drejtuesve të shkollës. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe Sportit pohoi se ka ngritur menjëherë komisionin e investigimit të plotë të ngjarjes.
“Shërbimi psiko-social që ndodhet pranë kësaj shkolle, që prej ditës së sotme, ka ofruar asistencën e nevojshme, jo vetëm për nxënësen në fjalë, por edhe për nxënësit e tjerë të kësaj shkolle.
Toleranca jonë do të jetë zero, në mënyrë që të shkulim me rrënjë fenomene të tilla kriminale, duke shpërbërë edhe stafin pedagogjik që ka mbyllur sytë dhe ka lejuar ngjarje të tilla. Ministria e Arsimit dhe Sportit, kërkon nga gjithë opinioni publik denoncimin e çdo akti të papranueshëm për shkollën dhe figurën e mësuesit.”, citohet në reagimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.
(a.n/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb