Kryetarja e sapozgjedhur e bashkisë së qytetit Herdecke në Gjermani, Iris Stalzter, ndodhet në gjendje kritike por sipas mjekëve të qëndrueshme.

57-vjeçarja u gjet ditën e djeshme e mbuluar në gjak në shtëpinë e saj në Herdecke, në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë, ku kishte marrë 13 goditje me thikë në bark dhe në shpinë, sipas policisë.

Ajo u transportua me helikopter në një spital në Bochum, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale disa orëshe.

Mjekët thonë se 48 orët e ardhshme janë vendimtare për jetën e saj.

“Ka të dhëna të para që tregojnë se krimi ka ndodhur brenda në shtëpi”, deklaroi zëdhënësi i policisë, Tino Schafer, për rrjetin gjerman ËDR.

Policia po heton motivet e sulmit, duke mos përjashtuar një dramë familjare, pasi nuk ka të dhëna që bëhet fjalë për një krim me motive politike.

Sipas hetimit, policia ishte thirrur edhe më parë në shtëpinë e kryetares së sapozgjedhur.

“Fëmijët e viktimës ndodhen aktualisht në polici dhe po merren në pyetje për të sqaruar ngjarjen”, tha zëdhënësi Schafer.

Sipas burimeve nga mediat gjermane, prokuroria po përqendron hetimet te djali i adoptuar dhe vajza e Stalzter. Një gjyqtar pritet të vendosë sot për hapat e mëtejshëm. Thuhet se 15-vjeçari kishte shfaqur më herët probleme të shëndetit mendor.

Sipas gazetës Bild, dëshmitarë nga lagjja thanë se përpara se të thirrej ndihma e shpejtë, ishte dëgjuar një zënkë e fortë mes Stalzter dhe djalit të saj.

Megjithatë, hetimet më pas u përqendruan tek vajza e saj e adoptuar, 17-vjeçare, e cila aktualisht konsiderohet si e dyshuara kryesore. Në ndërkohë, hetuesit e policisë po analizojnë të kaluarën e afërt të familjes, pasi para një viti 17-vjeçarja thuhet se ishte përfshirë në një incident me thikë në shkollë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb